FOTO: Atdhe Mulla

MAShT ia lë në dorë DKA-ve kompensimin e orëve të grevës

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka vendosur që zëvendësimin e orëve të humbura gjatë grevës tri javëshe të mësimdhënësve t’ia lë në duar Drejtorive Komunale të Arsimit.

“Në pajtim me gjithë drejtorët e DKA-ve që të zbatohet udhëzimi administrativ që ka të bëjë me normativin dhe kalendarin e vitit shkollor, tash e tutje secili drejtor i DKA-së në bashkëpunim me kryetarin e komunës do të tentojnë të gjejnë formën më të mirë të kompensimit të orëve dhe pastaj të na informojnë ne si ministri”, kështu tha ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi pas një takimi të mbajtur gati tri orësh mes DKA-ve dhe SBAShK-ut.

Ai ka thënë se vendimi që e kishte marrë më herët për zëvendësimin e orëve,  nuk bie ndesh me udhëzimin administrativ por se do të ndryshojë forma.

“Sindikatës i kemi dhënë shumë kohë dhe hapësirë që të vendosin, ata vazhdojnë të qëndrojnë të ngurtë vetëm në kërkesat e tyre dhe nuk janë të gatshëm që të zgjedhin problemin dhe s’ishin të gatshëm bashkëpunojnë”, tha ministri.

Megjithatë, SBAShK-u para se të merrej ky vendim e kishte lënë mbledhjen, pasi që nuk u pajtuan me këtë formë të kompensimit të orëve.

“Ministri ishte kategorik që vendimi i tij të ri aktualizohet  dhe të mbahen të gjitha orët e humbura, ndërsa ne e kemi vendimin që të kompensohen një javë vetëm nëse ndryshohet Ligji për Paga. DKA-të po ashtu kenë një zëri me ministrinë”, tha Jasharaj.

Ndërkaq, kryetari i kolegjiumit të drejtorëve komunal të arsimit, Besim Avdimetaj e ka ftuar sindikatën që të mos jetë pengesë për zëvendësimin e orëve.

“Të gjitha DKA-të ishin të pajtimit që të kompensohen orët e humbura të grevës madje disa komuna edhe e kanë realizuar një pjesë të tyre”, shtoi ai.

Që nga koha kur greva e mësimdhënësve -e iniciuar nga kërkesa për rritje pagash- u ndërpre, Sindikata e Bashkuar për Arsim dhe Ministria e Arsimit nuk po mund të i përafrojnë qëndrimet e tyre në lidhje me këtë çështje.

Më 26 shkurt, MAShT-i kishte marrë vendim që të kompensohen orët e humbura, ku pas kësaj Sindikata e kishte paditur Ministrinë dhe si masë të sigurisë kishte kërkuar pezullimin e  vendimit, mirëpo kjo masë u refuzua nga gjykata.

Formula e zëvendësimit sipas vendimit të MAShT-it ishte që 5 (pesë) ditë të zëvendësohen nga pushimi pranveror, prill 2019, 5 (pesë) ditë të shtuna të zëvendësohen gjatë vitit shkollor 2018/2019; dhe  (pesë) ditë të zgjatet përfundimi i vitit shkollor 2018/2019.

 

“Hallakama” për kompensimin e orëve të mësimit