Foto: Kallxo.com

MAShT E SBAShK, së bashku në Kuvend për grevën

Ministri i Arsimit Shyqiri Bytyqi dhe kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, po marrin pjesë në Komisionin për Arsim ku po diskutohet lidhur me grevën e mësimdhënësve.

Kryetari i Komisionit, Smajl Kurteshi (LVV) tha se do të kërkohet nga të dy palët që “sa më parë” të arrihet një marrëveshje, sepse ajo, sipas tij, është e paevitueshme.

Ministri Shyqiri Bytyqi kërkoi nga SBASHK që t’i japë fund grevës e cila ka bërë që gjysmëvjetori i dytë në shkollat fillore dhe të mesme të Kosovës të mos fillojë fare.

“Ne kemi kërkuar nga SBASHK të jemi në bashkërenditje dhe të mos ketë grevë. Mirëpo çdo humbje e mësimit do të jetë e pariparueshme. Kompensimi i mësimeve më pas do të jetë formal. Ne jemi pozicionuar për të dalë nga kjo situatë. Kemi propozuar të kemi ngritje të koeficinetit, por jo ashtu si po kërkon SBASHK pasi nuk e përballon buxheti i shtetit”, tha Bytyqi.

“Lëvizja në koeficinet nënkupton rritjen e pagave për të gjithë mësimdhënësit”, shtoi ai.

Por Rrahman jasharaj, kryetar i SBASHK, tha se versioni aktual i ligjit të pagave është diskriminues.

“Këtë e kemi thënë që nga maji i vitit 2018. Me muaj të tërë i dhamë forcë dialogut dhe nuk kishim nga t’ia mbanim më. Ky sektor nuk është i lëmoshave. 30 përqindëshin e kërkojmë me arsye. Ne po kërkojmë përmirësim koeficentësh e jo thjesht rritje të pagave”, tha Jasharaj.

15 Janar 2019 - 14:09

Emirjeta Vllahiu 15/01/2019 - 14:09
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend