MASHT dërgon në polici rrjedhjen e testit të arritshmërisë online

Pas raportimit të KALLXO.com lidhur me faqen online në Facebook që po publikon pyetjet dhe përgjigjet e testit të arritshmërisë, MASHT ka dërguar rastin në polici.

Këshilltari i Ministrit të Arsimit, Valmir Gashi konfirmoi për KALLXO.com se menjëherë pas marrjes së informatave, ka pasur takim në ministri dhe rasti është raportuar në Policinë e Kosovës.

“Ne fillimisht e kemi mbajtur një takim në ministri, me departamentin përkatës dhe pas atij takimi, drejtori i departamentit të arsimit parauniversitar i është drejtuar policisë dhe policia tash i merr masat. Ne i kemi marrë masat me atë që e kemi pa, mbetet të shihet. Vetë fakti që ishte aktiv gjatë gjithë kohës dhe nxënësit postonin testin, gjasat janë që është i njëjti. Testet janë në terren të gjitha”, tha Gashi.

Kujtojmë se KALLXO.com ka raportuar lidhur me faqen online në Facebook e cila vazhdon të jetë aktive edhe në këto momente.

Disa minuta pasi ka filluar mbajtja e këtij testi ka qarkulluar  një grup në Facebook i titulluar ‘Testi i arritshmërisë 2018- 18 maj.

Në këtë grup ka filluar postimi i fotografive të pyetjeve të testit dhe komunikimet për përgjigjet e mundshmë për këtë test.

Disa minuta më parë fotografia kryesore e këtij grupi kishte mbishkrimin ‘Testi i arritshmërisë 2016’ ndërsa tani është ndërruar me mbishkrimin ‘Testi i Arritshmërisë 2018’.

http://kallxo.com/testi-i-arritshmerise-rrjedh-online/