Martin Shkreli

Martin Shkreli Dënohet me 7 Vjet Burg

Biznesmeni amerikan me origjinë shqiptare, Martin Shkreli, është dënuar të premten me 7 vjet burg dhe një gjobë prej 75 mijë dollarëve, raportojnë agjencitë e huaja të lajmeve.

Shkreli, një ish-biznesmen famëkeq farmaceutik I akuzuar për ngritje të lartë të çmimit të barnave u gjet fajtor në akuzat për mashtrim të investitorëve.

Dënimi nga një gjykatë në Brooklyn të Nju Jorkut ishte më i ulët se kërkesa e prokurorit për një dënim prej 15 vitesh burgim, por më i lartë se ai prej 12 deri në 18 muaj që ishte kërkuar nga avokatët e tij, raporton Reuters.

Avokati i Shkrelit, Benjamin Brafman, i tha gjykatës para se të merrej vendimi se Shkreli, një 34 vjeçar, vuajti nga depresioni dhe një çrregullim ankthi dhe ishte person “disi i thyer”, të cilin qeveria deshi “ta hedhtë tutje”, raporton Reuters.

Por asistenti i prokurorit, Jacquelin Kasulis tha se një dënim prej 15 vitesh ishte i arsyeshëm pjesërisht për shkak se krimet e Shkrelit “nuk ishin gabim i izoluar në gjykim” por një model i sjelljes përfshirë edhe mashtrimet e veçanta për fondet e tij dhe për kompaninë e tij të ilaçeve Retrophin Inc.

Martin Shkreli, amerikani 34 vjeçar me origjinë shqiptare, i cili u bë famëkeq në mbarë botën në gusht të vitit 2015 pasi që kishte ngritur çmimin e medikamentit të SIDA-s Daraprim, është prapë në qendër të vëmendjes për një vepër tjetër jo të hijshme.

Drejtori i mëparshëm i “Turing Pharmaceuticals” u largua nga Twitter më 8 janar për shkak se kishte përdorur këtë rrjet social për të fyer një gazetar amerikan. Lauren Duca.

Duca publikoi një llogari në Twitter ku kishte treguar ftesën që kishte marrë nga Shkreli për ta shoqëruar atë në inaugurimin e Donald Trump në Ëashington më 20 janar.

“Më përpara do i kisha ngrënë organet e mia”, ishte përgjigja e Duca-s ndaj Shkrelit, -gjë që jo për tu çuditur, e nevrikosi atë dhe ai filloi të shkruajë replika fyese ndaj saj, e cila solli në largimin e llogarisë së tij nga Twitter.

Historia e Shkrelit është “të bëhesh dikushi nga zero”. Prindërit e tij imigrantë kishin punuar si rojtarë dhe akoma jetojnë në banesën ku ai u rrit.

Edhe pse me origjinë të thjeshtë, ai arriti të hyjë në gjimnazin Hunter College në Manhattan, e cila njihet si “shkollë e lartë për studentë intelektualë me dhunti”. Në vitin 2004, ai mori diplomën Bachelor në administrate biznesi nga kolegji Baruch.

Kur ishte vetëm 17 vjeç, ai ishte praktikant në Wall Street në fondin Cramer, Berkowitz & Co, ku zhvilloi interesin mbi tregje dhe partneritete të vogla për investime me metoda të rrezikuara. Ai përmes një interviste për revistën Vanity Fair në muajin shkurt tha se kishte qenë një i ri i dëshpëruar prandaj u interesua në fushën e kimisë dhe barnave pasi një i afërm vuante nga depresioni i rezistimit ndaj trajtimit.

Diçka që mbahet mend për të- në Shqipëri- është intervista e tij në dhjetor të vitit 2015 në uebfaqen HipHop DX, ku për ta mbajtur në mend e quajti veten si “shqiptari më i suksesshëm që ka shkelur në rruzullin tokësor”.

Revista Fortune kontrolloi sa e vërtetë ishte mburrja e Shkrelit, duke konkluduar se shqiptarë të tjerë si Eliza Dushku dhe Jim Belushi, sidomos Nënë Tereza, ishin shumë më të mire se Shkreli.

Në maj të vitit 2016, ai bëri bujë me një tjetër deklaratë pasi e shpalli veten si mbështetës i Trump. Pasi u sfidua në Twitter nga një gazetar Kosovar, Xhemajl Rexha i cili e quajti Shkrelin “i marrë”, duke qenë që demokrati Bill Clinton kishte “sponzorizuar shtetin e Kosovës”, Shkreli ia kishte kthyer: “Ti do të ndryshosh qëndrim kur të bëhem Mbret i Shqipërisë dhe të kem kontroll mbi mediat”.

Përveç mburrjeve të tij, Avni Mustafaj, drejtor i mëparshëm i Këshillit Nacional Shqiptaro-Amerikan, tha për BIRN se Shkreli nuk është shumë i njohur nga komuniteti shqiptar në SHBA.

“Ai asnjëherë nuk ka marrë pjesë në ndonjë event apo aktivitet. Dhe nuk njoh ndonjë organizatë të cilës ai i përket apo ku kontribuon”, tha ai.

Shkreli nuk ka qenë shumë i qartë për historinë e familjes së tij si dhe për kohën dhe rrethanat e migrimit të tyre në Amerikë.

Vetë Martin Shkreli përmes një videoje në kanalin YouTube tha që prindërit e tij e kanë mbajtur sekret se prej nga vinin saktësisht.

“Ne jemi nga Mali i Zi, kjo është prejardhja jonë, tani më kujtohet, por se ku ata u rritën, nga cili qytet nuk e di”, tha ai.

Shkreli është emër i përhapur tek shqiptarët që jetojnë në zonën e Ulqinit në Mal të Zi, si dhe në zonat afër qytetit të Shkodrës në veri të Shqipërisë.