Instalacioni "Mendoj për Ty" që u kushtohej viktimave të dhunës seksuale | Foto: KALLXO.com

Marsh protestues në Prishtinë për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës

Organizatat që përfaqësojnë të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, kanë thirrur marsh protestues në mbështetje të viktimave, pas publikimit të dy fotografive të disa personave nga deputetja e PDK-së, Flora Brovina, për të cilat ajo pretendon se janë realizuar në kohën e luftës.

Përmes një komunikate të përbashkët për media, organizatat kanë bërë të ditur se marshi do të mbahet të hënën, më 20 maj 2019, ku takimi i pjesëmarrësve do të bëhet në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë nga ora 12.00, si dhe marshi do të vazhdojë deri para hyrjes së Kuvendit të Kosovës.

“Pas publikimit të fotografisë nga deputetja e Kuvendit të Kosovës, znj.Flora Brovina, me të cilën pretendohej se paraqet kryerjen e dhunimeve seksuale gjatë luftës në Kosovë, e cila fotografi doli të jetë e dyshimtë, ka pasur reagime të shumta nga të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, e posaçërisht nga familjarët e tyre”, thuhet në njoftim.

Këto organizata vlerësojnë se viktimat dhe familjarët janë në ankth nga paraqitja e imazheve të enjten në Kuvendin e Kosovës.

“Për shumë vite kërkuam njohje ligjore dhe qasje në drejtësi për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës, ndërsa pikërisht tani kur ka filluar njohja e statusit ligjor të tyre, rrënohet gjithçka, duke tentuar të manipulohet me dhimbjen dhe plagët që bartin të mbijetuarit dhe familjarët e tyre. Shumë të mbijetuar dhe familjarë të tyre janë në ankth nga paraqitja e atyre imazheve neveritëse, sidomos kur paraqitja e tyre është bërë nga një deputete e Kuvendit të Kosovës dhe aktiviste e të drejtave të njeriut”, thuhet në komunikatën e tyre.

Organizatorët u kanë bërë thirrje të gjithë qytetarëve t’i bashkohen marshit protestues.

“Prandaj, duke marrë parasysh faktin se të mbijetuarit e dhunës seksuale nuk munden të dalin hapur në këtë marsh, ju ftojmë të gjithëve që të na bashkëngjiteni në marshin protestues, në mbështetje të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, duke kërkuar përgjegjësi nga institucionet e vendit si dhe solidarizim dhe drejtësi për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë”, vijon njoftimi.

Organizatat që kanë thirrur marshin protestues janë: Qendra Kosovare për rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës – QKRMT, Rrjeti i Grave të Kosovës, Medika Kosova, Medika Gjakova, Qendra për Promovimin e të Drejtave të Grave në Drenas dhe Shoqata Drejtësi për të Gjithë.

Qytetarët e Kosovës të enjten u tronditën nga dy fotografi të cilat i shfaqi në hapësirat e Kuvendit, deputetja e PDK-së, Flora Brovina.

Në njërën fotografi shihej një grua shqiptare që sipas Brovinës është dhunuar nga ushtarë serbë gjatë luftës, si dhe në fotografinë tjetër, deputetja tha se është një fëmijë 7 vjeçar që ka vdekur pas dhunimit.

Ndërkaq, në mbrëmje, mediat vendore raportuan se fotografia e dhunës seksuale mund të jetë shkëputur nga filma me përmbajtje pornografike.

Këto zhvillime nxitën reagime të ashpra te qytetarët, politikanët dhe shoqëria civile në Kosovë.