Projekti për termocentralin "Kosova e Re" – Foto: Ministria e Zhvillimit Ekonomik

Marrëveshja Sekrete për Ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”

Qeveria e Kosovës ka njoftuar se kanë arritur mirëkuptim për të gjitha marrëveshjet komerciale me kompaninë amerikane “Contour Global” për ndërtimin e Termocentralit Kosova e Re.

Në njoftim thuhet se Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka mbajtur mbledhjen e Komitetit Drejtues për Termocentralin “Kosova e Re”. Përfshirja e Kryeministrit në komitetin e këtij projekti është gjë e re, pasi më herët komiteti është drejtuar nga ministri i Zhvillimit Ekonomik.

Në komunikatën e qeverisë thuhet se në këtë takim ku ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit e kompanisë amerikane “Contour Global”, ndërsa u arrit marrëveshja për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”.

“Marrëveshja komerciale pritet që të nënshkruhet ditët e ardhshme dhe me të në Kosovë do të investohen mbi 1 miliard euro, gjë që paraqet investimin më të madh në historinë e re të Kosovës. Pas finalizimit, ky projekt do të sigurojë pavarësinë energjetike për shtetin dhe popullin e Kosovës”, thuhet në komunikatën e qeverisë.

Mirëpo, në këtë komunikatë nuk është dhënë asnjë detaj nëse Qeveria Mustafa ka arritur të bëjë ndonjë avancim në të mirë të shtetit në këto negociata. Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka ka thënë se niveli i normës së brendshme të kthimit prej 21.5% i dakorduar nga qeveria e kaluar është shumë i lartë. Ai kishte paralajmëruar rinegocim të kësaj norme, që i bie interesi i kompanisë për mjetet e investuara në këtë projekt.

Qeveria e Kosovës tutje ka dhënë detaje teknike për termocentralin që do të ndërtohet.

“Termocentrali do të ndërtohet me një bllok të vetëm superkritik, me efiçiencë minimum 40% dhe kapacitet elektrik bruto prej 500 MW. Me komponentën e koogjenerimit për ngrohjen qendrore, do të ketë kapacitete shumë më të mëdha për zgjerimin e rrjetit të ngrohjes për qytetin e Prishtinës, Obiliqit, Drenasit dhe Fushë-Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Qeveria ka thënë se arritja e marrëveshjes është rezultat i punës shumëvjeçare të qeverive të Kosovës, i shumë njerëzve, shumë ekspertëve, që në kushte të vështira arritën që t’i sigurojnë vendit të ardhme të sigurt energjetike dhe njëkohësisht kontratë që garanton arritjen e maksimumit për institucionet dhe popullin e Kosovës.

Termocentrali i ri do të fillojë të ndërtohet në vitin 2018 dhe do të jetë funksional që nga viti 2023, do të jetë i ndërtuar me fjalën e fundit të teknologjisë dhe në këtë mënyrë do të reflektojë në uljen e emetimit të gazrave, respektivisht në ruajtjen e mjedisit.

Ndërtimi i Termocentralit “Kosova e Re” është ngjarje historike për popullin e Kosovës, sepse energjia është kushti i pashmangshëm për të ardhmen prosperuese ekonomike, politike dhe sociale.