Marrëveshja që Ndëshkon Qytetarët dhe Favorizon Kompanitë e Sigurimeve

Duket se lëvizja e lirë e qytetarëve në të dy anët e kufirit mes Kosovës dhe Serbisë do të nisë të realizohet në fillim të vitit 2015, ndonëse kjo marrëveshje mes këtyre dy shteteve ishte nënshkruar në vitin 2011.

Qytetarët e Kosovës në secilën lëvizje që bëjnë drejt shtetit të Serbisë është dashur të paguajnë 100 euro tarifë për të kaluar në anën tjetër të kufirit.

Një shumë prej 30 eurosh duhet të paguajnë edhe qytetarët e Serbisë kur kalojnë kufirin për në Kosovë.

Por Edita Tahiri, kryenegociatorja e dialogut të Kosovës me Serbinë dhe Drejtori i Zyrës së qeverisë së Serbisë për Kosovën Marko Gjuriq, duket se janë të një mendimi që kjo çështje të zgjidhet sa më shpejt dhe qytetarët të lëvizin lirshëm në të dy anët e kufirit.

Edita Tahiri, i ka thënë emisionit “Tema” se pret që vitin 2015 ta fillojnë me tarifa më të ulëta.

“Ne kemi folur me byronë tonë të sigurimeve, ndërkohë kemi kërkuar që edhe Bashkimi Evropian të flasë me byronë e Serbisë, qe edhe ata të na sigurojnë që edhe byroja e tyre të ketë vullnet që të arrihet ky memorandum bashkëpunimi”, ka thënë zëvendëskryeministrja Tahiri.

“Definitivisht duhet të kemi ulje të tarifave. Unë pres që vitin 2015 ta fillojmë me tarifa të ulëta”, u shpreh ajo.

Marrëveshja e Lirisë së Lëvizjes është njëra prej marrëveshjeve të para të dialogut teknik që është nënshkruar mes Kosovës dhe Serbisë e cila ka mundësuar që të ketë lëvizje reciproke të qytetarëve të këtyre dy vendeve, me gjithë sfidat që kanë pasur.

Tahiri ka thënë se Qeveria e Kosovës, ka qenë për tarifa më të ulëta, por sipas saj pala serbe kishte vënë tarifa të larta.

“Ne jemi të detyruar ta zbatojmë reciprocitetin”, ka thënë Tahiri, duke treguar se përshtypja e saj është se as Byroja Kosovare e Sigurimeve dhe as Byroja Serbe, nuk dëshirojnë t’i ulin tarifat.

Edhe Marko Gjuriq, Drejtori i Zyrës së qeverisë së Serbisë për Kosovën, ka thënë se nga situata e krijuar, dëmin më të madh e kanë qytetarët ndërsa përfitimin byrotë e sigurimeve në të dyja shtetet.

“Me gjithë respektin për byrotë e sigurimeve, përgjegjësia jonë nuk është ndaj tyre por ndaj qytetarëve dhe duhet të sigurohemi që atë çështje ta zgjidhim sa më shpejt”, i ka thënë Gjuriq, emisionit “Tema”.

“Mendimi im është që në këtë moment niveli i taksave, sigurimit dhe pagesave të tjera që paguhen në pikat kufitare, pengojnë lëvizjen e lirë. Këto janë të panevojshme, të kota dhe të dëmshme për interesat tona”, thotë Gjuriq.

Edhe Gjuriq sikurse Tahiri, thotë se duhet të gjejnë një zgjidhje se di do të heqin sistemin e taksave dhe pagesave në pikat kufitare.

“Kjo e pengon tmerrshëm jetën e përditshme të njerëzve”.

Kryenegociatorja Tahiri ka thënë se nëse çështja e tarifave nuk zgjidhet me dialog, do të përdorin mekanizma detyrues tek byrotë e sigurimeve për të lehtësuar lëvizjen e lirë të qytetarëve.

Edhe Gjuriq ka thënë se ekzistojnë rregulla ndërkombëtare të lojës kur është në pyetje sigurimi.

“Në fund të fundit shteti është rregullator dhe vendos mënyrën e punës se kompanive të sigurimit”, ka thënë Gjuriq.