Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq dhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi - Foto: Facebook

Markoviq: Shqiptarët i Kanë Kontribuar Realizimit të Interesave Shtetërore

Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq, i pyetur se si ka rregulluar vendi i tij marrëdhëniet me shqiptarët dhe se a janë ata të integruar në shoqërinë malazeze, u përgjigj se Podgorica asnjëherë nuk ka pasur probleme me pakicat që jetojnë në vend dhe se për këtë arsye nuk ka pasur nevojë që të rregulloj[ marrëdhëniet me shqiptarët.

“Shqiptarët jetojnë me shekuj në Mal të Zi dhe gjithmonë i kanë kontribuar realizimit të interesave shtetërore. Malin e Zi për shekuj me radhë e ka karakterizuar harmonia shumeetnike dhe shumëfetare dhe me këtë krenohemi dhe e cilësojmë si karakteristikë shumë të rëndësishme të vendit tonë”, tha Markoviq në intervistën për revistën “Novi Magazin”, shkruan rtv21.tv.

Ai ndër të tjera nënvizoi se shqiptarët në Mal të Zi i kanë të gjitha të drejtat, të cilat atyre ja u garantojnë ligjet kombëtare dhe shtoi se ata mbulojnë pozita tejet të larta në funksionet shtetërore, përfshirë këto edhe ato të ministrave në Qeveri.

Duke folur për lëvizjet që kundërshtuan anëtarësimin e Malit të Zi në NATO, Markoviq tha se këto lëvizje ekzistojnë, por se ato sot janë shumë më të dobëta. /21Media