Pamje nga një mbledhje e Senatit të UP-së - Foto: KALLXO.com

Marjan Demës i Largohet Një Prorektor

Kjo për shkakun se prorektori Hoti nuk po pajtohet me menaxhmentin dhe politikat e drejtuara nga Rektori Marjan Dema.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com vetë prorektori Afrim Hoti.

“Kam pasur një takim së fundmi me Rektorin dhe mund të konfirmoj që problemet dhe proceset në Universitet i shohim ndryshe. Prandaj në ditët në vijim do të bëjë kërkesë zyrtare për t’u liruar nga detyra”, tha Hoti për KALLXO.com.

Por burimet brenda Rektorati për KALLXO.com kanë bërë të ditur që menaxhmenti aktual i UP-së ka kërkuar nga Hoti të lirohet nga detyra për shkak të performancës së dobët të tij në postin e prorektorit.

Sipas këtij burimi, menaxhmenti i UP-së ka miratuar largimin e Hotit nga pozita, vendin e të cilit pritet ta zë prorektorja aktuale për zhvillim dhe cilësi, Teuta Pustina.

I pyetur nga KALLXO.com për zëvendësimin e tij, prorektori Hoti tha se interesi i tij është vetëm të lirohet nga kjo pozitë.

“Nuk kam ide.. E rëndësishme është që unë dua të lirohem nga pozita”, tha Hoti.

E ky largim sipas burimit të KALLXO.com, ka bërë edhe ndryshime tjera udhëheqëse në Rektorat.

“Prorektorja për zhvillim dhe cilësi Teuta Pustina pritet ta zëvendësojë prorektorin Afrim Hoti. Në vend të prorektores Teuta Pustina do të vijë këshilltari aktual i Rektorit, Hysen Bytyqi. Ndërsa këshillitar i Rektorit pritet të jetë Rrustem Qehaja”, tha burimi brenda Rektoratit.

E zyrtarët e Rektoratit, nuk kanë mohuar as pohuar largimin e Hotit nga pozita e prorektorit për bashkëpunim ndërkombëtar.

“Nuk kemi ndonjë qëndrim definitiv zyrtar se është tërhequr (prorektori Afrim Hoti). Nuk kam dijeni që ka dhënë dorëheqje por kur të jep, do ta bëjmë publike. Unë mundem as të mohoj dhe as ta pohoj sepse nuk kam qëndrim zyrtar”, tha për KALLXO.com, prorektori për mësimdhënie dhe çështje të studentëve Naser Sahiti.

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” së fundmi ka qenë objekt i hulumtimeve edhe nga emisioni Jeta në Kosovë.

Avansimet në Mjekësi

Hulumtimi  pati sjell rrëfimin e kallxueses, Rozafë Koliqi, doktor shkence në Farmaci Klinike, e cila nuk ka lënë derë institucionale pa kërkuar të drejtën e saj që i është mohuar nga Senati i Universiteti të Prishtinës.

Në këtë hulumtim tregohet se si fitohen pozitat në Fakultetin e Mjekësisë nga kandidati Naim Morina i cili  ka pranuar se ka drekuar me njerëz me ndikim në UP para se të zgjidhet asistent në lëndën Farmaci Klinike.

Për këtë rast, Policia për Krime Ekonomike ka nisur hetimet me ç’rast deri më tani ka marr në pyetje disa përfaqësues të Rektoratit përfshirë këtu edhe Rektorin Marjan Dema.

Profesori i Mjekësisë, Dyshime për Avancim me Plagjiaturë e Falsifikim

Po ashtu, Rektorati, ka qenë pjesë e hulumtimit edhe  për mos reagimi në rastin e asistentes së Fakulteti të Mjekësisë, Albena Reshitaj e cila pretendon që profesori i saj Milaim Sejdini ka përvetësuar punimin e saj shkencor dhe të njëjtin e ka përdorur për tu avancuar nga Profesor  Asistent në Profesor të Asocuar.

Profesor Milaim Sejdini po ashtu dyshohet se ka falsifikuar nënshkrimin e anëtares së Komisionit Recensues, Xhina Mulo. Ky raport i Komisionit Recensues ishte shfrytëzuar që profesor Sejdini të avancohet.