Foto: MIA.

Maqedonia Përkujton Vrasjen e Ushtarëve në Pritën e UÇK-së

Një delegacion qeveritar dhe ushtarak, bashkë me të afërm viktimash, vendosën të martën kurora në vendin e masakrës në zonën e njohur si Karpalak në autostradën që shkon nga Shkup në qytetin veriperëndimor të Tetovës.

Ceremonitë e përkujtimores filluan mbrëmjen e mëparshme me një liturgji në manastirin e Shën Petkës pranë qytetit maqedonas të Prilepit, vendlindja e dhjetë ushtarëve që vdiqën në sulm.

Zyrtarë dhe të afërm vendosën gjithashtu kurora përpara pllakës përkujtimore në bazën ushtarake të Prilepit.

“Ne dhe brezat e ardhshëm kemi për detyrë të mbajmë gjallë kujtesën, për të kujtuar vitin 2001 dhe për të mos lejuar që kjo të ndodhë më kurrë,” tha nënkoloneli Slavco Kuzmanovski në bazën ushtarake të Prilepit.

Dhjetë rezervistë të ushtrisë humbën jetën në Karpalak më 8 gusht 2001, kur karvanit të tyre iu ngrit një pritë nga guerilët shqiptarë.

Ushtarët, të gjithë nga Prilepi, vdiqën kur kamioni i tyre i ushtrisë u godit nga një granatë.

Masakra shkeli një marrëveshje të arritur për armëpushim të përgjithshëm, duke tronditur publikun dhe duke kërcënuar të dëmtonte përpjekjet për të zgjidhur konfliktin në mënyrë paqësore.

Pas masakrës, banorët e zemëruar të Prilepit shkatërruan disa dyqane shqiptare në qytet dhe dogjën xhaminë qendrore.

Ushtarët u vranë në kohën kur liderët e partive politike dhe presidenti i atëhershëm, i ndjeri Boris Trajkovski, po i përfundonin detajet e Marrëveshjes së Ohrit të ndërmjetësuar nga ndërkombëtarët që i dha fund konfliktit të shkurtër të armatosur.

Marrëveshja u nënshkrua gjithsesi, vetëm katër ditë pas sulmit të Karpalakut, duke i dhënë fund dhunës midis forcës kryengritëse tashmë të shpërbërë, Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, UÇK, dhe forcave maqedonase të sigurisë.

Marrëveshja e paqes i dha më shumë të drejta shqiptarëve, të cilët përbëjnë çerekun e popullsisë së vendit.

Konflikti i mori jetën 68 ushtarëve maqedonas dhe oficerëve të policisë, shumë prej të cilëve vdiqën në prita të ngjashme me atë në Karpalak. Numri i luftëtarëve kryengritës të vrarë mbetet ende i pakonfirmuar.

Me nënshkrimin e marrëveshjes së paqes, ish-luftëtarëve iu dha amnisti.

Menjëherë pas kësaj, liderët e tyre krijuan Bashkimin Demokratik për Integrim, BDI, e cila që atëherë është bërë partia etnike shqiptare më e njohur në Maqedoni.