Maqedonia kërkon ekstradimin e Gruevskit nga Hungaria

Institucionet e Maqedonisë po përgatisin dokumentacionin e nevojshëm për të kërkuar ekstradimin nga Hungaria të ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, ku po kërkon azil politik për t’iu shmangur vuajtjes së dënimit prej dy vjetësh burgim, edhe pse në arsyetimin e tij denoncon ‘kërcënime për jetën e tij”.

“Ministria e Drejtësisë po grumbullon dokumentacionin lidhur me këtë rast, do të kompletohet dhe do të përkthehet dhe më pas do t’u dërgohet autoriteteve hungareze. Do të dorëzojmë arsyetimet tona se pse Nikolla Gruevski duhet të ekstradohet. Gjithashtu, në kuadër të Ministrisë së Brendshme po punohet për të hetuar rrethanat se si Gruevski ka arritur të largohet nga vendi dhe nëse në këtë ka të përfshirë edhe ndonjë punonjës policie”, ka deklaruar zëdhënësi i Qeverisë, Mile Bosnjakovski.

Ndërkohë, ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov, ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun e tij hungarez, Petro Siarto. Dimitrov siç bëhet e ditur në komunikatë i ka thënë diplomatit hungarez se “bëhet fjalë për person të dënuar, kundër të cilit po zhvillohen edhe procedura tjera gjyqësore për vepra serioze penale”.

Gjithashtu, Dimitrov ka theksuar, sipas tij, “paradoksin që të kërkohet azil politik në një vend anëtar të BE-së nga një person, vendi i të cilit gjatë qeverisjes së tij, ishte karakterizuar si shtet i kapur”. Zyrtari hungarez nuk ka dhënë detaje tjera përveç që ka konfirmuar kërkesën për azil nga ana e Gruevskit.

Ndërkaq, gjatë një konference në Prishtinë së bashku me ministrin e Jashtëm të Kosovës, Behgjet Pacolli, ministri hungarez Siarto, tha se çështja e kërkesës për azil e bërë nga Gruevski, për autoritetet në Budapest është “çështje ligjore dhe jo politike” dhe se organet kompetente po kryejnë procedurat për këtë rast.

Nga ana tjetër, në opinion qarkullojnë versione të ndryshme mbi arratisjen e Gruevskit, ndërsa përzgjedhjen e Hungarisë si vendstrehim nga ana e tij, e ndërlidhin me raportet e tij miqësore dhe ideologjike me kryeministrin hungarez, Viktor Orban.

Lidhjet mes tyre janë të hershme, përmes takimeve, por edhe mbështetjes së politikave të njëri – tjetrit. Por, sipas njohësve të çështjeve politike ajo që më së shumti bashkonte dy liderët ishte nacionalizmi dhe tendenca e tyre për të sunduar në çdo segment të shoqërisë përfshirë edhe mediat.

“Ashtu siç njihen mes vete njerëzit liberal, pavarësisht se nga cila pjesë e botës janë, ashtu ndodh edhe me njerëzit autoritarë, të cilët njihen mes vete duke vendosur miqësi. Kjo ka ndodhur edhe mes ish-kryeministrit Gruevski dhe kryeministrit aktual të Hungarisë, Orban. Ata kanë pikëpamje të njëjta për shumë gjëra dhe kjo duhet të jetë arsyeja se pse pikërisht Gruevski ka zgjedhur këtë vend për të kërkuar strehim”, ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë, Denko Maleski, ish-ministër i Punëve të Jashtme.

Ai thotë se Hungaria, si vend anëtar i BE-së, duhet të bazohet në vlerat evropiane, por mbetet të shihet se si do të zhvillohet e gjithë procedura.

Pak kohë pasi kishte ardhur në pushtet në vitin 2010, Orban vizitën e parë në Maqedoni e zhvilloi në maj të vitit 2011, ku lavdëroi politikat e Nikolla Gruevskit, ndërsa dy vite më vonë u nderua edhe me mirënjohjen “8 Shtatori”, medalja më e lartë që jep Kuvendi i Maqedonisë për kontribute të jashtëzakonshme dhe afirmimin e Maqedonisë në raportet ndërkombëtare.

Viktor Orban dhe Nikolla Gruevski “armik të përbashkët kishin Xhorxh Sorosin, me ç‘rast pas zgjedhjeve në vitin 2016, kishin nisur edhe një fushatë për siç kishin deklaruar “desorosoizimin e shtetit”, ndërsa më vonë kishte edhe një nismë “Stop operacionit Soros”.

Kompani hungareze që mbështesin Orbanin kishin blerë edhe disa portale në Maqedoni që mbështesnin politikat e Gruevskit, përfshirë edhe një televizion me licencë kombëtare. Sipas një hulumtimi Rrjetit Rajonal për Gazetari Hulumtuese –BIRN, dy personat që paraqiteshin si pronarë të firmave, Petar Shatc dhe Agnesh Adamik, karrierat e tyre në mediat hungareze i kishin ngritur pikërisht gjatë qeverisjes së Viktor Orbanit.

Kryeministri hungarez ishte në Maqedoni edhe pas humbjes së pushtetit të VMRO DPMNE-së, në maj të vitit 2017 dhe në një miting në Ohër ai i shprehu mirënjohje Gruevskit dhe partisë së tij për “pengimin e migrantëve që të shkojnë në Hungari” që ishte edhe pika tjetër që bashkonte politikat e tyre.

Kryeministri hungarez mbështetje i ka dhënë edhe kryetarit aktual të VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickovski dhe në një video mesazh sërish ka përmendur kishin guximin, kurajën dhe forcën e liderëve të VMRO-së për të mbrojtur hungarezë, maqedonasit, por edhe evropianët”.