Dhuna në Parlamentin e Maqedonisë | Foto: Agjencia Anadollu

Maqedonia Identifikon Banditët e Sulmit në Parlament

Prokuroria Kundër Krimit të Organizuar në Maqedoni ka identifikuar me sa duket disa nga banditët e maskuar që morën pjesë në dhunën në parlament në muajin prill, tha për BIRN-in të hënën një burim i paidentifikuar në organin e prokurorisë.

Ata e kanë bërë këtë duke krahasuar fotografitë e marra përpara sulmit me pamjet e bëra gjatë sulmit në parlament, tha burimi.

“Në disa foto, sulmuesit e dyshuar janë parë duke veshur të njëjtat veshje apo shenja të tjera të njohura, por nuk janë maskuar, gjë që ndihmon procesin e identifikimit”, tha burimi.

BIRN-i nuk ishte në gjendje të zbulonte nëse apo kur, bazuar në gjetjet e reja, Prokuroria e Krimit të Organizuar ka në plan të paraqesë akuza të reja lidhur me sulmin.

“Le të presim dhe të shohim. Është një hetim shumë kompleks me shumë njerëz të përfshirë dhe shumë vepra të mundshme”, tha i njëjti burim.

Dhuna në parlament filloi menjëherë pas orës 18:00 pasdite më 27 prill kur shumica prej 67 deputetëve në parlamentin me 120 vende zgjodhi për kryetar të parlamentit Talat Xhaferin.

Zgjedhjet u konsideruan gjerësisht si një hap drejt krijimit të një qeverie të re me koalicion, të udhëhequr nga Socialdemokratët, e cila më në fund u formua në fund të majit.

Ish- partia qeverisëse VMRO-DPMNE kundërshtoi ashpër këtë. Që nga zgjedhjet e përgjithshme, ajo kishte ngadalësuar lëvizjet për të shmangur humbjen e pushtetit, duke parandaluar zgjedhjen e një kryetari të ri për muaj me radhë dhe duke u ankuar se një veprim i tillë ishte i paligjshëm.

Në mes të kësaj krize, protestuesit e dhunshëm, duke përfshirë edhe njerëzit që mbanin kapuçë të zinj, prej të cilëve disa dyshoheshin se ishin oficerë policie, u lejuan të hynin në parlament dhe të sulmonin deputetët e opozitës, pothuajse të papenguar nga policia.

Rreth 100 vetë, përfshirë edhe dhjetë deputetë, u lënduan.

Udhëheqësi socialdemokrat Zoran Zaev, i cili që nga ajo kohë u bë kryeministër, ishte midis të lënduarve, ai kishte disa prerje të thella në ballin e tij.

Fundjavën e kaluar, Telma TV, duke cituar gjithashtu një burim të paidentifikuar, informoi shikuesit se hetimi kishte bërë një tjetër zbulim të mundshëm, duke vënë në dukje se ku kishte qenë gjatë sulmit ish-shefi i Byrosë së Sigurisë Publike, Mitko Cavkov.

Sipas burimit të Telma-s, duke gjurmuar telefonin e tij celular, hetimi kishte përcaktuar se Cavkov kishte shpenzuar pjesën më të madhe të natës afër ndërtesës së parlamentit, vetëm rreth 100 metra larg.

Cavkov, i cili ishte në krye të qendrës së komandës së policisë dhe ish-ministër i përkohshëm i brendshëm akuzohej se ishte i paarritshëm atë natë, kur ai duhej të kishte dërguar përforcime policore, ai e mohoi paraprakisht ndonjë përgjegjësi për incidentin. Ai gjithashtu refuzoi të japë një deklaratë për hetimin e vetë ministrisë së brendshme lidhur me rastin.

Prokuroria publike u përball me kritika se po ngre akuza vetëm për ata të përfshirë drejtpërsëdrejti në sulme, nëntë prej të cilëve morën dënime me kusht dhe dolën nga gjykata me buzëqeshje në fytyrat e tyre.

Kritikët këmbëngulën për një hetim të plotë që do të përcaktojë gjithashtu rolin e personave të maskuar dhe do të identifikojë edhe nxitësit dhe ndihmësit e mundshëm.

Presioni publik u intensifikua kur një video u shfaq në maj duke treguar deputetët e partisë ish-qeverisëse VMRO-DPMNE që hapnin portën kryesore të parlamentit, duke u lejuar mbështetësve të tyre të hyjnë në ndërtesë dhe të fillonin sulmet.

Deri më tani, asnjë nga deputetët që u filmuan duke bërë këtë nuk kanë dhënë llogari.

Prokuroria e Krimit të Organizuar, e cila merret me raste më komplekse të krimit, mori kontrollin e rastit të sulmit në parlament në fund të majit.