Malishevë, fillon spërkatja e kafshëve në kuadër të masave kundër rriqrave

Në Malishevë ka filluar repilimi (spërkatja ) e  kafshëve në kuadër të strategjisë kombëtare për luftimin e etheve hemorragjike, e udhëhequr nga Ministri i Shëndetësisë dhe Këshilli Ndërministror për Parandalimin dhe Luftimin e Etheve Hemorragjike, ky është viti i gjashtë që po ndërmerren këto masa nga Agjencia e Veterinës dhe Ushqimit, njofton Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik.

“Instituti Kombëtar tashmë është në gjendje gatishmërie për të ndërmarrë masat profilaktike dhe kundërepidemike për të parandaluar epideminë e EHCC të planifikuara me kohë dhe të përfshira në Planin Operacional për parandalimin dhe luftimin e Etheve Hemorragjike Krime Kongo në Kosovë” thuhet në njoftim.

Instituti thotë se që nga viti 2013 nuk është shënuar asnjë rast fatal me EHKK pasi që kanë realizuar me sukses masat parandaluese dhe kundërepidemike.

“Ne duhet të vazhdojmë realizimin e aktiviteteve në terren sepse kemi të bëjmë me një sëmundje endemike, vdekjeprurëse dhe praninë e rriqrave në vatrat endemike të cilat bartin virusin e EHKK”, thotë IKSHPK.