Gjykata në Bosnjë

Mali i Zi Ekstradon në Bosnjë të Dyshuarin për Krime Lufte

Gjykata Shtetërore e Bosnjës urdhëroi paraburgimin për Slobodan Knezeviqin të premten, pasi u ekstradua nga Mali i Zi, duke argumentuar se ai mund të përpiqej të bllokojë, ose të ndërhyjë në procedurat duke ndikuar te dëshmitarët dhe bashkëpunëtorët.

Prokuroria dyshon se Knezeviq ka marrë pjesë në arrestimin e rreth 120 civilëve boshnjakë në Miska Glava në komunën e Prijedorit në korrik 1992. Civilët dyshohet se u mbajtën në paraburgim para se të qëlloheshin.

Knezeviq dyshohet se ka vrarë një civil të kapur përpara vrasjes masive të të burgosurve.

Nëntë të dyshuar të tjerë janë akuzuar për krime kundër të kapurve në Miska Glava.

Prokuroria boshnjake akuzoi Slobodan Taranjaqin, Milodrag Glusaqin, Ranko Babiqin, Ranko Dosenoviqin dhe Rade Zekanoviqin për urdhërimin ose mosndalimin apo ndëshkimin e kapjes së civilëve që u mbajtën në kushte çnjerëzore në shtëpinë e kulturës “Miska Glava” dhe u torturuan.

Zdravko Paniq, Trivo Vukiq, Milan Vukiq dhe Marinko Prastalo u akuzuan gjithashtu për vrasjen e 11 burrave. Taranjaq, Glusaq, Babiq dhe Dosenoviq u akuzuan për fshehjen e këtij krimi.

Taranjaq u akuzua në cilësinë e tij si kryetar i Komisionit të Krizave në qytetin e Ljubijës dhe kreu i autoriteteve civile lokale, Glusaq si zëvendëskomandant i Batalionit të Gjashtë të Ljubijës të Brigadës 43 të Ushtrisë Serbe të Bosnjës, Babiq si zyrtar i parë operativ i Batalionit të Gjashtë të Ljubijës dhe Dosenoviq si ndihmëskomandant për sigurinë e batalionit.

Të tjerët akuzohen si anëtarë të Togës Miskoglavska të Ushtrisë Serbe të Bosnjës dhe të policisë ushtarake dhe civile.