Majlinda Kelmendi- Evropiane e Vitit

Këtë çmim Zyra e BE-së e dha për herë të parë në kuadër të festimeve për 9 Majin-Ditën e Evropës.

Majlinda Kelmendi, sipas komunikatës së kësaj zyreje, ishte në konkurrencë për këtë çmim me Institucionin e Avokatit të Popullit, me Danijela Zubac-in, anëtare e Fondit të Zhvillimit, me iniciativën “Ta Pastrojmë Kosovën”, me Grupin për Studime Politike e Juridike dhe Krenare Gashin, drejtuesen e Rrjetit të Qendrave Rinore të Kosovës.

Duke folur për të nominuarit evropianë të vitit, shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë Samuel Zhbogar tha se ata janë nga të gjitha shtresat e shoqërisë.

“Jam i lumtur që evropianët e vërtetë vijnë nga të gjitha shtresat e shoqërisë, si nga institucionet, po ashtu edhe nga shoqëria civile. Ne i gjejmë ata në salla sportesh dhe mes komuniteteve lokale. Ata me vetëmohim kalojnë miljen shtesë, ngase besojnë se po e bëjnë atë që duhet. Ata punojnë shumë. Ata na bëjnë krenarë. Ata na motivojnë. Këta janë evropianët tanë,” tha Zhbogar.

Majlinda Kelmendi së fundi në prill të këtij viti fitoi medaljen e artë në Kampionatin Evropian të Xhudos të zhvilluar në Kazan të Rusisë.

http://kallxo.com/majlinda-kelmendi-e-arte-edhe-ne-rusi/