Presidenti francez, Emmanuel Macron dhe ai serb, Aleksandar Vuçiq - Foto: Facebook/ Aleksandar Vucic

Macron zbeh shpresat e Serbisë për anëtarësim të shpejtë në BE

Presidenti francez Emmanuel Macron tha në një konferencë të përbashkët shtypi të mbajtur në Beograd të hënën me homologun e tij serb Aleksandër Vuçiç, se Serbia nuk mund t’i bashkohet klubit europian derisa BE-ja të reformohet.

“BE-ja me 28 anëtarë edhe tani nuk po funksionon dhe nuk mund të zgjerohet pa u reformuar,” tha Macron.

Presidenti francez tha se Serbia duhet, ndërkohë, të qëndrojë në rrugën e saj të BE-së dhe të ndërmarrë të gjitha reformat e nevojshme, duke shtuar se BE-ja gjithashtu duhet të jetë gati të pranojë Serbinë.

“BE-ja duhet të marrë disa vendime në mënyrë që të funksionojë më mirë,” vuri në dukje Macron.

Duke iu kthyer mosmarrëveshjes midis Serbisë dhe Kosovës, Macron njoftoi se do të organizojë një takim me përfaqësues të nivelit të lartë të të dy vendeve dhe kancelaren gjermane Angela Merkel.

“Serbia dhe Kosova janë vende europiane dhe ne duhet të ndihmojmë për ta përkthyer këtë në fakte,” tha ai, duke u bërë thirrje të dyja palëve që të përmbahen nga lëvizjet e njëanshme.

Presidenti i Serbisë, Vuçiq, tha se e kishte informuar presidentin francez për situatën aktuale midis Serbisë dhe Kosovës dhe i kërkoi atij ta ndihmonte Serbinë në rrugën e saj drejt BE-së.

“Ka mundësi që të mos kem pasur kurrë një bisedë kaq të hapur dhe të sinqertë me një zyrtar,” theksoi Vuçiq me admirim.

Makron mbërriti të hënën në Serbi mes tensioneve të reja midis Beogradit dhe Prishtinës.

Vizita e tij erdhi pas anulimit të një takimi në Paris, që synonte të inkurajonte Serbinë dhe Kosovën që të rifillojnë negociatat që kanë qenë të bllokuara qëkurse Kosova vendosi vitin e kaluar tarifa importit 100 për qind për mallra që vijë nga Serbia.

Presidenti serb dhe ai francez diskutuan gjithashtu për bashkëpunim politik dhe ekonomik, duke nënshkruar 22 marrëveshje, përfshirë një marrëveshje për shpërndarjen e raketave Mistral, si dhe një deklaratë qëllimi për një projekt për ndërtimin e një hekurudhe nëntokësore në Beograd.

Macron është frustruar gjithnjë e më shumë nga refuzimi i sjellshëm i Gjermanisë, sidomos për të mbështetur kërkesat e tij për një integrim më të ngushtë në BE, sidomos midis 19 anëtarëve të bllokut të monedhës së përbashkët.

Berlini nuk i ka mbështetur thirrjet e tij për të rishkruar traktatet kryesore europiane, ndërkohë që kjo temë nuk u diskutua në samitin e Sibiut më 9 maj, i cili iu kushtua të ardhmes së Europës. (reporter.al)