Emmanuel Macron, Foto: Forumi Ekonomik Botëror

Macron: Do t'i Mbyll të Gjitha Termocentralet e Qymyrit Deri në Vitin 2021

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron gjatë fjalimit të tij në Forumin Ekonomik Botëror që po mbahet në Davos të Zvicrës ka thënë se Franca do të mbyllë të gjitha termocentralet e thëngjillit deri në vitin 2021.

Presidenti Macron tha se donte të “bënte Francën një model në luftën kundër ndryshimeve klimatike”, si një nga pesë shtyllat në planet e tij për të reformuar ekonominë.

“Ky është një avantazh i madh në aspektin e atraktivitetit dhe konkurrencës. Talenti do të vijë aty ku është mirë të jetosh. Ne mund të krijojmë shumë punë me një strategji të tillë”, tha ai.

Në të gjithë Bashkimin Evropian, vala ekonomike është duke u kthyer kundër fuqisë së qymyrit, më shumë se gjysma e 619 termocentraleve të thëngjillit po humbasin para, sipas një raporti. Një kombinim i rënies së shpejtë të çmimeve për energjinë e ripërtëritshme dhe ligjeve të ndotjes së ajrit i shtyjnë ato jashtë biznesit.

Presidenti Macron bëri thirrje gjithashtu për BE-në, e cila tashmë ka hapur tregun e parë të tregtisë me karbon në botë, për të “shkuar pak më tej dhe për të krijuar një çmim minimal për CO2”.

Tregjet e karbonit punojnë duke siguruar një stimul financiar për të ndotur më pak, shumë ekspertë kanë bërë thirrje për një çmim minimal të karbonit për të rritur përparimin.

Jo shumë kohë qëkur u kthye nga një takim me presidentin kinez Xi Jinping, presidenti Macron pranoi angazhimin e liderit kinez për Marrëveshjen e Parisit.

Duke parë përpara projektin e infrastrukturës së madhe për të lidhur Kinën me Europën, Macron tha “rruga e re e mëndafshit duhet të jetë një rrugë e gjelbër. Ne nuk mund të kemi një rrugë me bazë qymyri.”

E mëndafshtë ose e gjelbër, do të vazhdojë të jetë një rrugë me gunga përpara për të mbajtur ngrohjen brenda 2°C të synuar nga Marrëveshja e Parisit.

“Për ndryshimet klimatike, ne po humbasim betejën”, tha Macron, duke shtuar se bota kishte nevojë për veprime konkrete dhe rezultate deri në vitin 2020.

Në këtë link mund të dëgjoni fjalimin e Presidentit Macron.

Përderisa në Francë po synohet që deri në vitin 2021 të largohen termocentralet me qymyr, në Kosovë në këto vite do të fillojë ndërtimi i termocentralit 1.3 miliard euro.