Foto: Kallxo.com

LVV pret kërkim falje nga Ganimete Musliu, Albulena Balaj dhe Muharrem Nitaj për krahasimin me Listën Serbe

Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar që tre deputetë të Kuvendit të Kosovës t’i kërkojnë falje Vetëvendosjes.

“Ganimete Musliu, Albulena Balaj dhe Muharrem Nitaj pas votimit tonë për kompleksin memorial Adem Jashari duhet mu çu me kërku falje sepse na kanë krahasu me Listën Serbe. Kjo ka qenë shpifje e padurueshme me na krahasu me Listën Serbe për Adem Jasharin”, tha Konjufca duke thënë se kjo është politikë e ulët.

E Musliu tha se asnjëherë nuk i bie pishman.

“Asnjëherë nuk i bi pishman për atë që kam folë. Ka qenë turp që s’keni qenë javën e kaluar me votu për kompleksin memorial Adem Jashari… Është turp për juve që nuk keni ardhë”, tha ajo.

E Konjufca tha se “Gane kur folë s’ki nevojë mu sarrakuqë”.

Muharrem Nitaj tha se i kërkon Glaukut që ai të kërkojë falje se, sipas tij, nuk e ka krahasuar VV me Listën Serbe e as LDK-në me askënd.

“Glauku le të çohet e le të thotë se ku e ka gjetë një fjali ku unë e kam krahasuar me Listën Serbe. Nuk kam përgjegjësi për titujt që i vendosin gazetat”, tha Nitaj.

Edhe Albulena Balaj u arsyetua për fjalimin e saj.

“Ajo që unë e kam thënë është pra Lista Serbe është e qartë se nuk do ta votojë memorialin në Prekaz. Unë nuk po them se në të njëjtën linjë jeni VV dhe LDK por duket se janë në bazë të asaj që nuk keni votu njëjtë si Lista Serbe si Ju”, tha ajo.

Deputetët me 84 vota kanë miratuar Ligjin për Kompleksin Memorial Adem Jashari në Prekaz.

Aktualisht deputetët janë në pauzë deri në orën 16:30 për shkak të mungesës së kuorumit.