LVV: Korrupsioni po ndodh para syve të Prokurorisë

Lëvizja Vetëvendosje para protestës së paralajmëruar për ditën e premte para Prokurorisë së Shtetit, përmes një konference për media ka dhënë arsyet se pse kanë zgjedhur këtë vend për të protestuar.

Deputetja Albulena Haxhiu ka thënë se kryeprokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi ka dështuar t’i realizojë dy premtimet e dhëna para emërimit në këtë pozitë: Luftimin e krimit dhe korrupsionit dhe hetimin e krimeve të luftës.

“Në vend të prezantimit të një platforme kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit  kryeprokurori Lumezi përmendi dy premtime publike: E para ishte luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit që nuk ndodhi asnjëherë dhe e dyta ishte hetimi i krimeve të luftës që poashtu asnjëherë nuk u morën seriozisht me krimet e luftës”, tha Haxhiu.

Haxhiu tha se si pasojë e mungesës së një prokurorie të mirëfilltë, Kosova vazhdon të jetë vendi më i varfër për shkak të korrupsionit. E pikërisht për këtë arsye, Haxhiu thotë se  qytetarët e Kosovës po lëshojnë vendin.  Sipas saj, korrupsioni po ndodhë para syve të  Prokurorisë.

E shefi i GP të Vetëvendosjes Glauk Konjufca, i është kundërpërgjigjur Këshillit Prokurorial të Kosovës, i cili e ka  quajtur ndërhyrje në drejtësi protestën e paralajmëruar të VV-së para  Prokurorisë së Shtetit.

Konjufca tha se është e habitshme se si një institucion i tillë nuk e kupton të drejtën elementare për protestë paqësore./RTK/