Foto: Facebook

LVV: Jemi Përgatitur të Garojmë të Vetëm

Pas takimit të Kryesisë, Vetëvendosje doli me qëndrim rreth koalicionit të mundshëm me LDK-në dhe AKR-në.

Sipas njoftimit të LVV-së, ata kanë marrë kërkesa për takim nga koalicioni LDK-AKR mirëpo afati për koalicione ka përfunduar.

“Tanimë, afati për koalicione ka përfunduar dhe Lëvizja është duke bërë përgatitjet e duhura që në këto zgjedhje të garojë e vetme. Gjatë ditës së sotme kemi pranuar dhjetëra kërkesa për takim nga koalicioni LDK/AKR. Edhe pse jemi në orët e fundit para dorëzimit të listave, kryesia e Lëvizjes vendosi që t’i pranojë në takim”, njofton LVV.

Megjithatë, ky subjekt ka deklaruar se janë të gatshëm të presin ata që duan t’u bashkohen qëndrimeve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe garës në këto zgjedhje.

“Programi i Lëvizjes Vetëvendosje dhe konsistenca politike e qëndrimeve dhe veprimeve na bëjnë ne subjektin më të besuar për transformim të Republikës, me luftim të krimit e progres shoqëror. Të gjithë ata që janë të gatshëm t’i bashkohen kësaj beteje për ndryshim rrënjësor jemi të gatshëm t’i presim në takim”, thuhet tutje në njoftim.

Nesër Vetëvendosje do të mbajë Këshillin e përgjithshëm ku do të votohet lista e kandidatëve të këtij subjekti në këto zgjedhje.