Lutfi Haziri, LDK, Gjilan. Foto: Kallxo.com

Lutfi Haziri u bën thirrje partive qeverisëse që ta zgjidhin problemin e ‘zhurmës politike’

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri i ka bërë thirrje koalicionit qeverisës që të dalin me një qëndrim të përbashkët për procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

Gjatë konferencës me titull “Zëri i Popullit rreth ‘Finales së Madhe’ ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, Haziri deklaroi se platforma e propozuar nga LDK është ideale për zgjidhjen e këtij procesi.

“Platforma e LDK-së përmend edhe integritetin territorial. Lus partitë qeverisëse që të mbyllen brenda zyrave tyre dhe ta zgjidhin problemin e zhurmës politike sepse nuk mund ta zgjedhin këtë çështje me gjashtë qëndrime të ndryshme. Platforma e LDK-së nuk është e negociueshme sepse nuk po flasim për ndonjë konsensus për parimet e udhëheqjes.”, ka thënë nënkryetari i LDK-së.

Tutje Haziri ka shtuar se ka ardhur koha që Presidenti i Kosovës të ofrojë një datë të përfundimit të dialogut.

“Duhet dhënë një datë për përmbyllje të procesit të dialogut, në mënyrë që të merremi edhe me çështje të brendshme. Në këtë mënyrë nuk mund të vazhdojmë sepse mund të dërgoj në një pikë të vlimit që mund të sjellë rezultate të padëshirueshme.”, ka theksuar ai.