Lutfi Haziri - Foto: KALLXO.com

Lutfi Haziri: Thaçi iu bashkëngjit kauzës time për Luginën e Preshevës

Në një intervistë për KALLXO.com, nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka folur për idenë e korrigjimit të kufirit dhe mundësinë e bashkimit të Luginës së Preshevës me Kosovën.

Haziri thotë se ideja e bashkimit të Luginës së Preshevës me Kosovës është kauzë e tij dhe jo e Thaçit.

Nënkryetari i LDK-së thotë se qysh në vitin 2011 e kishte nisur debatin për këtë çështje.

Lutfi Haziri thotë se nuk e konsideron vjedhje të kauzës nga Thaçi por si bashkëngjitje në kauzën e tij.

Gjatë intervistës mund të dëgjoni edhe rrëfimin e Hazirit se pse në bisedimet teknike të Vjenës u vendos që të mos diskutohet çështja e Luginës së Preshevës.

Grupi negociator i emëruar nga Qeveria e Kosovës, e që pritet të udhëhiqet nga Fatmir Limaj, për Hazirin nuk është i tillë. Ai këtë grup e quan “grup të shokëve e bashkëluftëtarëve” dhe jo grup të unitetit.

Në këtë intervistë, Haziri ka folur edhe për dallimin e tij me LDK-në sa i përket dialogut dhe diskutimit mbi kufijtë. Ai thotë se do të respektojë çdo vendim të Kryesisë së LDK-së, por shprehet se partia e mirëkupton.

I pari i Gjilanit në intervistën për KALLXO.com, nuk e ka përjashtuar mundësinë që të bëhet pjesë e ekipit të Thaçit në dialog me Serbinë, mirëpo këtë do ta bënte vetëm me mbështetje të LDK-së.

Ai ka folur edhe për deputeten e LDK-së, Vjosa Osmanin, me të cilën kanë pasur një debat të ashpër kohëve të fundit si dhe për vajzën e ish-presidentit Ibrahim Rugova, Teuta Rugovën.