Komuna e Gjilanit, Foto: Komuna e Gjilanit

Lutfi Haziri ka dënuar sulmin fizik ndaj Ahmet Dakut

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka reaguar ndaj sulmit fizik që një person e ka bërë ndaj ish- kryetarit të OVL UÇK-së në Gjilan, Ahmet Daku.

Haziri për këtë akt ka kërkuar që organet e drejtësisë të merren sa më parë.

“Në këtë ditë feste për shqiptarët, me shqetësim e kam marrë lajmin nga mediat për sulmin fizik në vendin e tij të punës ndaj z. Ahmet Daku. Këtë akt e dënoj ashpër dhe kërkoj nga organet e drejtësisë që ta thonë fjalën e tyre sa më parë. Kjo nuk është mënyra për të zgjidhur pakënaqësitë, por janë organet përgjegjëse që trajton çdo mosmarrëveshje e pakënaqësi.”, ka thënë në reagimin e tij kryetari Haziri.

Ahmet Daku tash është inspektor i fatkeqësive natyrore dhe fatkeqësive tjera në kuadër të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim në Komunën e Gjilanit dhe është sulmuar në vendin e tij të punës.

Ndërsa zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Gjilan, Liridona Xheladini tha për KALLXO.com se ky rast është cilësuar si sulm.

“Rasti është cilësuar si sulm. Personi i dyshuar është dërguar në mbajtje për 48 orë”, ka thënë Xheladini.