Gjykimi i mjekëve në Rastin "Medicus" | Foto: KALLXO.com

Lutfi Dervishi flet për transplantimin e fundit të veshkave në ‘Medicus’

Mjeku Lutfi Dervishi, duke iu përgjigjur pyetjeve të prokurores Valeria Bolici tregoi për një rast të transplantimit të veshkave në “Medicus” që tha të ketë ndodhur në tetor 2008.

“Në vitin 2008 ka ndodhur një transplantim siç e di unë, nuk mund të them me siguri datën se kur është kryer sepse ka kaluar një kohë e gjatë, mendoj se ajo ishte në tetor apo nuk jam i sigurt, janë dokumentet”, tha Dervishi.

Ai e konsideroi këtë transplantim të veshkave të parin dhe të fundit në klinikën e drejtuar prej tij.

“Përveç dy-tri autotransplantimeve që unë i di dhe disa ndërhyrjeve për të korrigjuar komplikimet e mundshme, për transplantim unë e di vetëm këtë rast, nuk di tjera. Për diçka tjetër unë kam dëgjuar në gjyq”, tha Dervishi.

Mjeku i akuzuar deklaroi se nuk ishte njoftuar për këtë transplantim, por më pas tha se i ishte kërkuar ndihmë.

“Të them të drejtën nuk kam qenë i njoftuar për transplantimin e veshkës sepse nuk kam marrë pjesë, por më vonë më kanë thirrë për ndihmë”, tha Dervishi.

Ai shpjegoi se transplantimin e kishte bërë mjeku turk Yusuf Sonmez, por Dervishit i ishte kërkuar të ndërhyjë për të mbyllur plagën e dhuruesit të veshkës.

“Ka fundi i operacionit kam asistuar. Ata e kanë dërguar një motër dhe më kanë thirrë për të ju ndihmuar për ta mbyllur plagën e pacientit”, shpjegoi Dervishi.

Ai tha se kur të thërrasin për ndihmë duhet të shkosh të ndihmosh.

“Natyrisht që ne jemi të obliguar që në çdo moment na thirrë dikush në ndihmë kur në pyetje është pacienti, në bazë të Betimit të Hipokratit jemi të obliguar si dhe në bazë të ligjit dhe profesionit që e ushtrojmë duhet ta ndihmojmë patjetër pacientin”, tha Dervishi.

Ai mohoi se e dinte emrin e pacientit, por deklaroi se e mori vesh më vonë.

“Për këtë rast nuk kam qenë i njoftuar më herët se do të bëhet transplantimi. Nuk i kam takuar as dhuruesin e as marrësin. Absolutisht jo, ata kanë qenë pacientet e dr.Sonmezit”, tha Dervishi.

Bashkë me Dervishin po akuzohet edhe anesteziologu Sokol Hajdini që vendosi të mbrohej në heshtje.

Lutfi Dervishi që ishte pronar i Klinikës “Medicus” në të cilën nga Prokuroria po pretendohet se u krye transplantim i veshkave, akuzohet për trafikim me qenie njerëzore dhe krim të organizuar, ndërsa Sokol Hajdini për lëndim të rëndë trupor.

Pjesë e këtij gjykimi ishte edhe Arban Dervishi, djali i Lutfi Dervishit, por procedura ndaj tij është veçuar, ngase ai ndodhet në arrati.

Urologu Lutfi Dervishi ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me 8 vjet burg në vitin 2013, ndërsa Sokol Hajdini me 3 vjet.

Gjykata e Apelit më pas ia kishte vërtetuar dënimin Dervishit, ndërsa Hajdinit ia kishte shtuar vitet e dënimit me burg nga 3 vjet në 5.

KALLXO.com ka përcjellë në vazhdimësi rastin “Medicus”.