Ulrike Lunacek, Nënkryetare e Parlamentit Europian

Lunacek: Bëjeni Shpejt Qeverinë, Ratifikojeni Demarkacionin

Lunacek uroi qytetarët e Kosovës për zgjedhjet të cilat tha se “në përgjithësi ishin të organizuara mirë dhe funksionale”.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ishte i suksesshëm në organizimin e këtyre zgjedhjeve të parakohshme në një periudhë të shkurtër kohore. Gjithashtu deklaroj me kënaqësi se shumica e procesit ka ndodhur në një atmosferë paqësore. Kjo është inkurajuese për zhvillimin e vazhdueshëm demokratik të Kosovës. Po ashtu mirëpres pjesëmarrjen në rritje të komunitetit serb të Kosovës si shenjë pozitive të angazhimit të tyre të mëtejshëm me institucionet e vendit, edhe pse ndodhën akte të ndryshme të frikësimit ndaj kandidatëve të komunitetit serb të Kosovës në konkurrencë me Listën Serbe”, tha Lunacek.

“Por sot fushata zgjedhore ka mbaruar, sot puna për të mirën e vendit dhe qytetarëve të saj duhet të fillojë përsëri. Prandaj u bëj thirrje partive të Kosovës që të formojnë shpejt një qeveri për të trajtuar sfidat e ndryshme dhe për të vazhduar rrugën e Kosovës në BE. Qeveria e ardhshme duhet të fokusohet në krijimin e kushteve më të mira ekonomike dhe sociale, si dhe të punojë më shumë në arsim dhe shëndetësi. Kjo është ajo që qytetarët kërkojnë! Kjo është ajo që miqtë e Kosovës në BE duan për qytetarët e Kosovës”, shtoi ajo.

Sipas Lunacek, qeveria e kaluar dhe Kuvendi i Kosovës kanë humbur shumë kohë gjatë viteve të fundit sidomos në dy kërkesat e mbetura për liberalizimin e vizave të cilat “mund dhe duhet të përmbushen së shpejti nga Kosova”.

“Ratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi është një domosdoshmëri si dhe përmirësimi i bindjes për nivelin e lartë  të korrupsionin dhe krimit të organizuar. Qeveria e ardhshme duhet të sigurojë një rezultat të mirë të procesit të liberalizimit të vizave në mënyrë që të hapë rrugën për udhëtimin pa viza për qytetarët e Kosovës sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha Lunacek.

“Këtë javë Parlamenti Evropian (PE) do të miratojë gjithashtu raportin tim për përparimin e Kosovës drejt BE-së. Ky votim do të dërgojë edhe njëherë një sinjal të fortë se e ardhmja e një Kosove të pavarur qëndron në Bashkimin Evropian. Partive dhe politikanëve të Kosovës u kërkohet urgjentisht që t’i përgjigjen këtij sinjali nga PE në një mënyrë konstruktive dhe me frymë europiane”, tha ajo.