Publikimi i Raportit te Monitorimit te Gjykatave - 23.05.2019

Lumezi: Kemi dëshmuar se jemi të gatshëm të përballemi me gjithësecilin

Kryeprokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi, gjatë prezantimit të Raportit Vjetor të Monitorimit të Gjykatave nga BIRN dhe Internews Kosova ka deklaruar se Prokuroria është e gatshme të përballet me këdo që bie ndesh me ligjin.

“Prokuroria e shtetit ka treguar që është e gatshme të përballet me gjithë secilin”, deklaroi Lumezi.

Lidhur me gjetjet e raportit për rastet e korrupsionit ku theksohet se u ka patur progres, Lumezi tha se gjatë vitit 2028-të Prokuroritë i kenë zgjidhur 75 mijë e 750 lëndë.

“Sa i përket rasteve të korrupsionit nga ky numër, vitin e kaluar 412 raste të korrupsionit janë zgjidhur dhe 435 raste të tjera që kanë të bëjnë me krime financiare dhe ekonomike dhe sa i përket efikasitetit kemi qenë më të mirë se vitin paraprak. 52 raste gjithsej janë të shënjestruara dhe kur dëgjova Labinotin duke i prezantuar gjithë këto raste atëherë me të vërtetë mendova se sa punë të mirë ka bërë prokuroria vitet e fundit”, tha Lumezi.

Ai tutje deklaroi se: “Sot kemi të akuzuar edhe ish-kryeministër edhe ish-ministra edhe ministra aktual edhe drejtorë të ndërmarrjeve publike edhe kryetarë të komunave edhe gjyqtarë edhe prokuror edhe shumë pjesëtar të grupeve të ndryshme kriminale”, tha kryeprokurori Lumezi.

Ndryshe, Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) dhe Internews Kosova publikuan Raportin Vjetor të Monitorimit të Gjykatave për vitin 2018.

Ky raport fokus të veçantë ka rastet e shënjestruara për liberalizim të vizave dhe rastet korrupsionit të monitoruara gjatë vitit 2018, por gjithashtu trajton problemet e tjera të trashëguara, të vëzhguara gjatë punës së monitoruesve në teren.

Për më shumë, raporti thekson mungesën e efikasitetit në trajtimin e rasteve të shënjestruara për liberalizim të vizave, neglizhencën në trajtimin e rasteve të korrupsionit, dështimin për ta goditur krimin përmes konfiskimit të pasurisë si dhe shkeljet procedurale nga gjykatësit, prokurorët dhe palë tjera në procedurë gjyqësore të hasura nga monitoruesit tanë gjatë monitorimit të gjykatave në nivel të Republikës së Kosovës.