Aleksandër Lumezi, Kryeprokuror i Shtetit. Foto: Kallxo.com

Lumezi flet për dorëheqjen e prokurorit Elez Blakaj

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi ka reaguar pas raportimeve për dorëheqjen e prokurorit që merrej me rastin e ‘Listave të Veteranëve të UÇK-së’, Elez Blakaj.

Sipas Kryeprokurorit, ata nuk kanë informacione se Blakaj ishte i kërcënuar gjatë hetimit të dyshimeve për keqpërdorim në listat e veteranëve të luftës në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

“Kryeprokurori i Shtetit zyrtarisht asnjëherë nuk është informuar me shkrim nga prokurori Blakaj se ka pasur ndonjë kërcënim në lidhje me punën e tij. Zyrtarisht, deri më sot ne kemi pranuar vetëm dorëheqjen e tij, të cilën e ka drejtuar te Kryeprokurori i PSRK-së, z. Reshat Millaku”, thuhet në njoftimin e Kryeprokurorit.

Në njoftim janë përmendur disa raste të kanosjeve që kishin ndodhur ndaj personave tjerë në këtë rast.

“ Sidoqoftë, dëshirojmë të informojmë opinionin se prokurori Blakaj, përderisa ishte duke hetuar rastin e njohur në opinion si “Lista e veteranëve të UÇK-së”, kishte marrë informacione se Komisioni i Mjekëve në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale ishte duke u marrë me përcaktimin e statusit të invalidëve të luftës dhe se gjatë punës së këtij komisioni ka pasur kanosje, për të cilën edhe është hapur rasti si i tillë në Policinë e Kosovës. Kërkesa e prokurorit Blakaj është shqyrtuar dhe Policia e Kosovës ka vendosur të shtojë patrullimet në vendin ku komisioni po punonte si dhe në vendosjen e kontakteve të kohëpaskohshme në mënyrë që procesi të vazhdojë sipas planifikimit”, thuhet në njoftim

Po ashtu në njoftim është  përmendur një rast të kërcënimit që prokurori Blakaj e kishte raportuar në polici, ku kishte kërkuar mbrojtje për familjen e tij.

“ Megjithatë, prokurori Blakaj nuk ka raportuar për këtë rast se ka ndonjë kërcënim ndaj tij. Po ashtu, Kryeprokurori i Shtetit ka informacione se prokurori Blakaj në llogarinë e tij në rrjetin social “Facebook” ka pranuar një mesazh kërcënues me fjalët: “Dënoi kriminelët, e jo hoxhallarët”, kurse më pas prokurori Blakaj e ka raportuar në polici, ku ka deklaruar se veten nuk e ndien të kërcënuar, por është i brengosur rreth familjes së tij, sidomos për fëmijët dhe ka kërkuar përcjelljen nga njësitet policore të fëmijëve të tij gjatë vajtje-ardhjes në shtëpi – shkollë. Policia e Kosovës ka shqyrtuar kërkesën e prokurorit Blakaj dhe të nesërmen ka filluar me ofrimin e përcjelljes së fëmijëve të prokurorit Blakaj. Edhe në këtë rast, policia ka hapur rast hetimi ndaj kërcënuesit të prokurorit Blakaj”, thuhet në njoftim.

Sipas Kryeprokurorit për rastet – lëndët që ka pasur në punë prokurori Blakaj është kërkuar që të ndahen te prokurorët e tjerë në kuadër të PSRK-së dhe asnjë zbrazësi nuk do të lejohet në hetimin e plotë dhe të pavarur të secilit rast, pra edhe të rasteve në fjalë

Blakaj ishte duke hetuar dyshimet për keqpërdorime në listat e veteranëve të UÇK-së ndërsa është marrë edhe me disa raste të gjykimeve për terrorizëm.

https://kallxo.com/prokurori-qe-po-i-hetonte-listat-e-veteraneve-te-uck-se-jep-doreheqje/