Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, - Foto: KPK

Lumezi: Akuzat Ndaj Meje Janë të Fabrikuara

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, i ka quajtur të pavërteta dhe shpifje akuzat ndaj tij për manipulim të dosjes së provimit të jurisprudencës.

“Ju siguroj që unë kurrë nuk do të lejoj të denigrohet institucioni i prokurorit të shtetit dhe as puna ime me akuza të fabrikuara dhe të sajuara e as kurrë nuk do të zmbrapsem nga frikësimet apo kërcënimet për shkatërrimin tim”, ka thënë Lumezi në konferencën nacionale të shënimit të Javës për të drejtat e viktimave të krimit.

Ai më tutje ka vazhduar duke thënë se akuzat ndaj tij janë mbështetur edhe nga disa grupe të interesit që “dëshirojnë ta shohin në veçanti sistemin prokurorial të dështuar”.

“Para disa ditësh jam goditur nga një i dënuar për korrupsion e që është duke u mbështetur edhe nga disa grupe të interesit të cilat shpeshherë flasin në emër të drejtësisë e në të vërtetë dëshirojnë ta shohin të dështuar në veçanti sistemin prokororial të Kosovës, duke imagjinuar dhe shpifur situata të pavërteta”, theksoi Kryeprokurori i Shtetit.

Lumezi shtoi se ai do të vazhdojë të kërkojë që problemet juridike të zgjidhen nëpërmjet rrugës juridike e jo nëpërmjet “kuazi-hulumtimeve me qëllime të ulëta nga personat e dënuar për korrupsion”.

Kur përmendte të dënuarin për korrupsion, Kryeprokurori i Shtetit aludonte në ish-rektorin e UP-së dhe ish-kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasanin, i cili ditë më parë u dënua me 1 vit burg me kusht për dy vjet verifikim, në lidhje me kontratën për përkthimin e librave nga anglishtja në shqip për Universitetin e Prishtinës.

http://kallxo.com/denohet-enver-hasani/

Në ditën kur u shpall aktgjykimi, Enver Hasani ka akuzuar Kryeprokurorin e Shtetit, Aleksandër Lumezi për falsifikim të provimit të jurisprudencës.

Hasani u ka dërguar një dokument mediave në të cilin thuhej se ka dëshmi që kryeprokurori i shtetit ka falsifikuar provimin e jurisprudencës.

Në një dokument 7-faqësh, me gjithsej 84 pika, Hasani pretendonte se pas një hulumtimi të bërë në arkivat e vendit ka hedhur dritë se si Lumezi ka falsifikuar provimin e jurisprudencës.

Më 19 tetor, Aleksandër Lumezi ka paralajmëruar se do të ngrejë padi ndaj Enver Hasanit për shpifje.

“Do ta autorizoj një avokat të ngrit padi për shpifje kundër Enver Hasanit dhe pres që padia e tillë të shqyrtohet nga gjykata sa më parë që është e mundur”, ka shkruar Lumezi në njoftimin për media të 19 tetorit.