Lulzim Basha në Prokurori për lobimin në SHBA

Lulzim Basha u paraqit të hënën në Prokurorinë e Tiranës, si person në dijeni të fakteve në lidhje me hetimin për pagesat e Partisë Demokratike për lobistë në SHBA.

 

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u paraqit të hënën në mëngjes në Prokurorinë e Tiranës, për tu njohur me dokumentet e administruara nga organi i akuzës si pjesë së hetimit për shpenzimet e PD-së për lobistë në SHBA, gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare.

Në njoftim për shtyp Prokuroria e Tiranës deklaroi se kreu i Partisë Demokratike, sëbashku me tre zyrtarë të lartë të saj, janë marrë në pyetje në lidhje me shpenzimet që partia më e madhe opozitës ka bërë gjatë zgjedhjeve të vitit 2017.

“Nga hetimi kanë rezultuar dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se ka një diferencë thelbësore mes deklarimeve të bëra zyrtare për shpenzimet e bëra nga subjekti PD, dhe shpenzimeve reale që ky subjekt ka bërë,” tha Prokuroria.

“Ky subjekt ka deklaruar vetëm shumën prej 25,000 dollarësh, dhe nuk ka bërë deklarime për shumën prej 650,000 dollarësh,” shtoi organi i akuzës.

Përveç Bashës, Prokuroria ka marrë në pyetje për këtë çështje edhe sekretarin e përgjithshëm të PD-së Gazment Bardhi, ish-deputetin Arben Ristani dhe financierin e Partisë Demokratike, Ilir Dervishi.

Pas dëshmisë në Prokurori, Basha i tha gazetarëve se asnjë nga zyrtarët e PD-së nuk e kishte shkelur ligjin.

“Jemi thirrur sot në Prokurori për të dhënë informacione si persona që mund të kenë dijeni për rrethanat e hetimit. Dua ta bëj të qartë për gjithsecilin prej jush sot dhe qytetarët se hetimi i hapur prej një viti e gjysmë bëhet mbi bazën e nenit 190 për çështjen e plotësimit të formularëve të deklarimit në KQZ,” i tha Basha gazetarëve pasi doli nga prokuroria e Tiranës.

“Ka një vit e gjysmë që ka nisur hetimi, ka më shumë se 6 muaj që kanë ardhur përgjigjet nga SHBA dhe Britania e Madhe, nga Skocia, të cilat vërtetojnë se as PD-ja, asnjë drejtues i PD-së nuk ka shkelur asnjë ligj, as në Shqipëri, as në SHBA dhe as në Britaninë e Madhe.,’ shtoi ai.

Në nëntor 2017, Prokuroria e Tiranës njoftoi regjistrimin e një procedimi penal  për veprat e falsifikimit dhe fshehjes ose deklarimit të rremë, në lidhjet me disa kontrata të Partisë Demokratike për kompani konsulence në SHBA.

Hetimi i Prokurorisë nisi pasi një investigim i BIRN, gjeti se Partia Demokratike fshehu pagesa prej më shumë se gjysmë milionë dollarë për një kompani lobimi në Uashington dhe dështoi të bënte transparencë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ndërkohë që njëra prej transfertave u bë nga një kompanie guackë me aksionerë anonimë e regjistruar në parajsa fiskale.

Partia Demokratike e udhëhequr Basha lidhi dy kontrata me lobistin  e saj në Uashington, ‘Stonington Strategies’, pjesë e Muzin Capitol Partners. Muzin Capitol Partners LLC është themeluar nga Nicolas Muzin, një këshilltar strategjik dhe zëvendës-shef shtabi për senatorin Republikan, Ted Cruz gjatë fushatës së tij për President në vitin 2016.  I trajnuar si mjek dhe jurist, Nick Muzin ka punuar gjithashtu si shef stafi i senatorit Tim Scott, kur ky i fundit ishte në pozicionin e kongresmenit.

Në prag të zgjedhjeve të qershorit 2017, Basha siguroi një takim të shkurtër dhe fotografi me Presidentin e SHBA-së, Donald Trump, të cilën Muzin e paraqit si një sukses së kompanisë së tij.

Në Departamentin e Drejtësisë në SHBA, “Stonington Strategies” deklaron se ka marrë dy pagesa nga Partia Demokratike me vlerë totale 525 mijë USD në vitin 2017 dhe një pagesë të tretë nga “Biniatta Trade LP”-një kompani guackë e regjistruar në Skoci, në vlerën e 150 mijë USD.

Ndryshe pretendon Partia Demokratike. Sipas raportit vjetor të dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, kjo e fundit deklaron se gjatë vitit 2017 në total ka shpenzuar 26.4 milionë lekë në konsulenca, nga të cilat Muzin Capitol Partners – kompania mëmë e Stonington Strategies ka përfituar vetëm 3.1 milionë lekë (25,000 USD).

Prokuroria njoftoi të hënë se sipas akteve të ardhura nga letër-porositë, e mbërritura nga SHBA-ja dhe Skocia rezultojnë se në kundërshtim me ligjin, Partia Demokratike nuk i ka deklaruar në KQZ pagesat për Muzin Capitol Partners ose pagesën e bërë në favor të saj nga Biniatta Trade LP.

“Nga provat e administruara në dosje rezultojnë të jenë kryer dy pagesa në shumën prej 650,000 dollarësh për efekt lobimi në SHBA, të cilat nuk janë deklaruar ligjërisht nga subjekti PD,” tha Prokuroria. “Njëra nga këto pagesa rezulton të jetë bërë nga një shoqëri e huaj dhe konkretisht Biniatta Trade,” përfundoi ajo.