‘Lulëzojnë’ çmimet në muajin mars, u rritën mbi 3%

Muaji mars i këtij viti rezultoi të jetë më produktiv se marsi i vitit të kaluar. Përveç natyrës edhe çmimet e konsumit “lulëzuan” dhe u rritën për tre përqind më shumë, me perimet si kontribuuesit më të mëdhenj në këtë rritje.

 Indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit për muajin mars i Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) tregon se inflacioni mujor i matur i çmimeve të konsumit ishte 0.1 përqind më i lartë në raport me një muaj më parë dhe 3.3 përqind në krahasim me marsin e vitit 2018-të.

Në muajin mars të sivjetmë për dallim nga një muaj më parë, çmimet u shtrenjtuan për 0.1 përqind.

“Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë për 0,1% në muajin mars 2019, krahasuar me muajin shkurt 2019. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit te nëngrupet e COICOP-it: bukë dhe drithëra (0.5%); pemë (2.2%); perime (3.2%); përdorim i pajisjeve për transportin personal (2.1%)-(ngritja e çmimit të naftës dhe benzinës) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0.4 për qind në IHÇK“, bën të ditur komunikata.

Ngritja u neutralizua nga rënia e çmimeve të konsumit te nëngrupet e COICOP-it: qumësht, djathë dhe vezë -1.5 përqind; ujë, pije joalkoolike, lëngje nga pemët dhe perimet -1.4 përqind; energji elektrike, gaz dhe lëndë djegëse të tjera -1.7 përqind – (rënia e çmimit të drunjtë të zjarrit për ngrohje) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej -0.3 përqind në IHÇK.

Ndërkaq, shkalla vjetore e inflacionit, e matur në muajin mars 2019, me muajin mars 2018 ishte 3.3 përqind.

Kontribuuesit më të mëdhenj në ngritjen e çmimeve janë perimet.

“Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë për 3.3% në muajin mars 2019, krahasuar me muajin mars 2018. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te nëngrupet e COICOP-it: bukë dhe drithëra (11.6%); mish (3.7%); qumësht, djathë dhe vezë (4.2%); perime (32.5%); pije alkoolike (1.7%); duhan (3.6%); përdorim i pajisjeve për transportin personal (6.4%) – (ngritja e çmimit të naftës dhe benzinës), shërbime hoteliere (1.5%); gjëra personale (3.3%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 3.6 për qind në IHÇK”, tregon ASK.

Ngritja u neutralizua, kryesisht nga rënia e çmimeve të konsumit te nëngrupet e COICOP-it: pemë -10.3 përqind; energji elektrike, gaz dhe lëndë djegëse të tjera -2.3 përqind – (rënia e çmimit të drunjtë të zjarrit për ngrohje); shërbime për transport (-5.4 përqind) – (rënia e çmimeve të biletave të transportit ajror), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej -0.3 përqind në IHÇK.

Çmimet konsumit ‘ndezën motorët’ për ngritje edhe në muajin shkurt të këtij viti. Ato u shtrenjtuan për 0.4 përqind në krahasim me muajin janar dhe 3.2 përqind në raport me muajin e njëjtë të 2018-ës.

Në anën tjetër Indeksi mesatar vjetor tregon se për tri vitet e fundit çmimet kishin një trend rritës duke shënuar vlerën më të lartë në 2018-ën.