Ilustrim: Bërlloku në lumin e fshatit Gadime || Foto: Kallxo.com

Luftimi i Ndotjes me Ndalesë të Thëngjillit dhe ‘Policë të Gjelbër’

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, tregoi sot para Komisionit Parlamentar për Bujqësi dhe Mjedis se përmirësimi i gjendjes së ajrit dhe ambientit janë ndër prioritetet e saj.

Ajo tha se do të kërkojnë ndalimin e përdorimit të thëngjillit në shkolla dhe biznese të vogla si dhe t’i shndërrojnë disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës në “polic të gjelbër”.

“E kemi pa të arsyeshme ta nisim një kampanjë vetëdijësuese, sensibilizuese për nivelin e ajrit të ndotur dhe ambientit”, tha Reshitaj.

“Ngase ky është problem global, jemi në përgatitje te kësaj kampanje sensibilizuese, që do të nisë pas zgjedhjeve lokale”, shtoi ajo.

Ministrja tregoi se është në kontakt edhe me Ministrinë e Arsimit që vetëdijesimi i nxënësve për mjedisin të futet në kurikulë shkollore.

“Jemi në përgatitje të ligjit ku do të kërkojmë ndërprerjen e thëngjillit në shkolla. Do të ndalojmë përdorimin e thëngjillit në disa biznese të vogla dhe do t’u japim një alternativë tjetër të nxemjes”, tha ajo.

Po ashtu Reshitaj përmendi dhe ‘policët e gjelbër’ si masë për ta parandaluar ndotjen e mjedisit.

“Kemi plan që disa policë të Kosovës t’i shndërrojmë në policë të gjelbër, që do të kenë për detyrë të kujdesen për ambient”, tha ajo.

Po ashtu Reshitaj tha se ministria e saj po punon që t’i funksionalizojë plotësisht dy agjenci që janë në kuadër të saj; Agjencinë e Mjedisit dhe Agjencinë e Kadastrit.