Lluka: Votimi i Ligjit për Efiçiencë të Energjisë sjell përfitime për Kosovën

Ministri për Zhvillim Ekonomik, Valdrin Lluka ka përshëndetur votimin e Ligjit për Efiçiencë të Energjisë nga deputetët në Kuvendin e Kosovës.

Lluka është shprehur se ky ligj sjell efekte të shumta për sektorin e energjisë dhe ekonominë e Kosovës.

Ai ka përmendur se njëri nga këto efekte është krijimi i Fondit për Efiçiencë të Energjisë dhe për të cilin që në fillim të operimit, Komisioni Evropian dhe Banka Botërore kanë ndarë grant mbi 15 milionë euro si investime të drejtpërdrejta në ndërtesat publike me qëllim të kursimit të energjisë.

“Ky ligj rrit përgjegjësinë, rolin por edhe mundësinë e përfitimit të Komunave, në funksion të implementimit të masave te efiçiencës. Pra shumë shkolla, çerdhe, objekte spitalore dhe objekte tjera të institucioneve qëndrore dhe lokale do të iu nënshtrohen renovimit në funksion të kursimit të energjisë dhe rritjes së mirëqënies”, ka shkruar Lluka në një postim në Facebook.

Më poshtë mund të lexoni postimin e plotë të ministrit Valdrin Lluka: 

Lajm i mirë: Sot, në Kuvendin e Republikës së Kosovës, u aprovua Ligji për Efiçiencë të Energjisë.

Pas një dedikimi personal dhe angazhimi maksimal të Ministrisë se Zhvillimit Ekonomik, në koordinim të plotë me të gjitha institucionet relevante ndërkombëtare të cilat merren me fushën e efiçiencës së energjisë si dhe nën asistencë të drejtpërdrejtë të Komisionit Evropian dhe Bankës Botërore, hartuam një nga ligjet më të rëndësishëm në sektorin e energjisë, Ligji Nr.06/L-079 Për Efiçiencë të Energjisë. Ky ligj sot kaloj edhe instancën e fundit procedurale me votën e deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Pa hyrë në detajet dhe efektet e shumta që ky ligj sjellë për sektorin e energjisë dhe ekonominë e vendit, e për te cilat do te flasim më shumë në periudhën e ardhshme, dua të potencoj disa elemente shumë te rëndësishëm:

– Ky ligj krijon Fondin për Efiçiencë të Energjisë dhe për të cilin që në fillim të operimit, Komisioni Evropian dhe Banka Botërore kanë ndarë grant mbi 15 milionë euro si investime të drejtpërdrejta në ndërtesat publike me qëllim të kursimit të energjisë;

– Ky ligj forcon infrastrukturën institucionale që nga hartimi e deri tek implementimi i politikave dhe masave te këtij sektori, komfor obligimeve qe Kosova ka marrë në kuadër te Kapitullit për Zhvillim të Qëndrueshëm;

– Ky ligj rrit përgjegjësinë, rolin por edhe mundësinë e përfitimit të Komunave, në funksion të implementimit të masave te efiçiencës. Pra shumë shkolla, çerdhe, objekte spitalore dhe objekte tjera të institucioneve qëndrore dhe lokale do të iu nënshtrohen renovimit në funksion të kursimit të energjisë dhe rritjes së mirëqënies.

Shfrytëzoj rastin edhe një herë të falënderoj të gjitha palët e përfshira në proces për kontributin e dhënë. Shpresoj qe do ta kem mbështetjen e tyre në implementimin e obligimeve që dalin nga ky ligj!