Prizreni

Lluka: Prizrenin do ta mbulojmë me ngrohtore qendrore

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka pritur në takim pune kryetarin e Prizrenit, Mytaher Haskuka.

Ai ka siguruar kreun e Komunës se Prizreni do të jetë pjesë e projekteve strategjike zhvillimore të cilat do të ndikojnë direkt në mirëqenien e qytetarëve të qytetit.

Ministri Lluka tha se po punojnë intenzivisht që Prizreni të mbulohet me ngrohtore qendrore  për ta përmirësuar ajrin.

Po ashtu, Lluka tha se do të përmirësojnë rrjetin e ujësjellësit dhe trajtimin e ujërave të zeza.

“Ne po punojmë intenzivisht që të mbulojmë me ngrohtore qendrore qytetin e Prizrenit. Kjo jo vetëm që përmirëson ajrin dhe stabilitetin energjetik në komunën tuaj, por dukshëm përmirëson kualitetin e jetës për qytetarët e Prizrenit. Kemi në fokus përmirësimin e rrjetit të ujësjellësit në të gjitha fshatrat e komunës suaj si dhe realizimin e projektit për trajtimin e ujërave të zeza”, tha Lluka.

Po ashtu Haskuka ka kërkuar nga ministri Lluka që të funksionalizohet projekti për krijimin e Parkut të Biznesit.

“Për komunën tonë është jetike funksionalizimi i projekt për krijimin e Parkut të Biznesit, i cili ende nuk është finalizuar si shkak i procedurave administrative”, tha Haskuka.