Foto: REL/Shutterstock

Lluka: Nuk ka më tarifa telefonike për kosovarët që shkojnë në Shqipëri

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka ka njoftuar se ka filluar implementimi i marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë për heqjen e tarifave të roaming-ut për të qytetarët e Kosovës që vizitojnë Shqipërinë.

Ai këtë njoftim e ka dhënë përmes një postimi në Facebook.

“Shqipëria ka filluar me implementimin e marrëveshjes për heqjen e tarifave roaming për të gjithë qytetarët e Kosovës që vizitojnë mëmëdheun. Komunikim të këndshëm”, ka shkruar Lluka në Facebook.

Sipas këtij njoftimi, qytetarët e Kosovës që posedojnë numra të telefonit të kompanive vendore, mund të komunikojnë me tarifa të njëjta të çmimeve edhe gjatë qëndrimin në Shqipëri.

Në mbledhjen e Bordit të ARKEP-it të Kosovës dhe Këshillit Drejtues të AKEP-it të Shqipërisë është marrë vendim që nga 15 qershori të fillojë ulja e çmimit të roamingut për qytetarët e Kosovës dhe Shqipërisë.

Fillimisht do të ketë një ulje prej 90 për qind të kostos aktuale.

Kurse më 1 korrik 2021 planifikohet që të hiqen plotësisht tarifat roaming për qytetarët e Kosovës dhe Shqipërisë.

Marrëveshja për heqjen e çmimeve të shërbimeve roaming për rrjetet publike të komunikimeve të lëvizshme ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë është nënshkruar në Pejë më 26 nëntor 2018.

Më 11 maj 2019 në Tiranë është organizuar mbledhja e përbashkët e Bordit Drejtues të ARKEP dhe Këshillit Drejtues të AKEP lidhur me procesin e reduktimit të tarifave dhe heqjes së plotë të tyre për shërbimin roaming për qytetarët e Kosovës dhe Shqipërisë sipas kësaj marrëveshje.

Gjatë mbledhjes u diskutua për përfitimet që do të kenë qytetarët e të dy vendeve në lidhje me reduktimin dhe heqjen e plotë të tarifave të shërbimet roaming, e cila do të aplikohet sipas principeve të modelit të aplikuar më parë nga vendet e Bashkimit Evropian “Roam Like At Home (RLAH)”.

Në samitin digjital të Ballkanit Perëndimor i cili është mbajtur në Beograd, në fillim të muajit prill, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, në emër të Kosovës ka nënshkruar marrëveshjen për zbritjen e çmimeve të roaming për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Palët nënshkruese të marrëveshjes, e cila do të quhet “Roaming si në shtëpi” do të fillojnë gradualisht që nga 1 korriku 2019 të ulin kostot e roaming-ut, ndërsa nga 1 korriku 2021 nuk do të ketë çmime bazë të roaming-ut.

Kjo marrëveshje është nënshkruar nga 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Bosnja e Hercegovina dhe Serbia.