Ministri Valdrin Lluka në mes të dy kolegëve të tij - Foto: Atdhe Mulla

Lluka Nuk e Përmend Borxhin ndaj Postës, ‘Fajëson’ Telekomin

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, nuk e ka përmendur fare borxhin që Posta e Kosovës pretendon se i ka Ministria që drejtohet nga ai.

Lluka ka thënë se kriza në Postë lidhet me mungesën e menaxhmentit në Telekomin e Kosovës, e cila nuk po mund të ekzekutojë pagesat e borxhit ndaj Postës në emër të qirasë. Telekomi aktualisht nuk ka bord funksional e as kryeshef ekzekutiv.

Lluka tha se Komiteti Ndërministror për Ndërmarrje Publike ka rekomanduar që ta shtyjë afatin e kryeshefit ekzekutiv aktual të Telekomit, Agron Mustafa. Ai tha se mandati do t’i zgjatet deri sa të krijohet bordi dhe rekrutimi i kryeshefit të ri.

“Një gjë e tillë do të futet në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë që besoj se do të jetë gjithsesi këtë javë dhe pastaj pasi të kalon në mbledhje të Qeverisë autorizohet personi në fjalë që t’i nënshkruajë pagesën e qirasë, prandaj Posta dhe Telekomi do t’i marrin pagat besoj këtë javë ose eventualisht fillimin e javës që vjen”, u shpreh Lluka.

Bordi i Drejtorëve i Postës së Kosovës përmes një letre të hapur ka shprehur shqetësimin për gjendjen financiare në këtë ndërmarrje, “e cila po rëndohet nga muaji në muaj”.

Bordi i Drejtorëve thotë se kjo gjendje ka ardhur si pasojë e humbjeve financiare që ka Posta në ofrimin e Shërbimit Postar Universal si dhe në mosshlyerjen e obligimeve financiare për shërbimet që i ofron për operatorë të caktuar.

“Posta e Kosovës është e obliguar me ligj të ofrojë Shërbimin Universal Postar pa marrë parasysh koston dhe humbjen e vazhdueshme me vite të tëra. Nga ana tjetër, Qeveria  e Kosovës është e obliguar me ligj që të mbulojë humbjet në këtë shërbim. Për këtë ekziston edhe një marrëveshje mes Postës dhe Ministrisë për Zhvillim Ekonomik. Për më tepër, edhe Gjykata e ka shqyrtuar këtë çështje dhe ka kërkuar nga MZHE që të kompensojë humbjen financiare që ka pësuar Posta gjatë ofrimit të këtij shërbimi”, thuhet në komunikatë.

Bordi i Postës së Kosovës dhe menaxhmenti i saj kanë alarmuar opinionin se pagat e muajit prill për punëtorët nuk do të mund të sigurohen për shkak të krizës financiare. Por, ata prej vitesh kanë marrë paga të larta për punën e tyre në këtë ndërmarrje.

http://kallxo.com/luksi-bordit-dhe-menaxhmentit-te-postes/