FOTO: Broshura, TC Kosova e Re, MZHE 2017

Lluka: Në mars merret vendimi nëse OPIC e financon TC 'Kosova e Re'

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka thënë se në muajin mars të vitit të ardhshëm, Korporata për Investime Private të Jashtme (OPIC) do të marrë vendimin nëse do ta financojë ndërtimin e termocentralit ‘Kosova e Re’.

Lluka ka deklaruar për Kallxo.com se qe 5 muaj kompania ‘Contour Global’ ka filluar kontaktet me OPIC-un amerikan për financimin e këtij projekti. Ai ka thënë se OPIC ka aprovuar një studim përmes të cilit shikohen mundësitë e financimit të TC ‘Kosova e Re’ në një vlerë deri në 450 milionë dollarë.

“Edhe OPIC-u pas përfundimit të këtij studimi i cili pritet të bëhet kah fillimi i vitit të ardhshëm, në muajin mars e kanë mbledhjen e rregullt të Bordit ku e qesin si propozim financimin apo mos financimin e këtij projekti”, ka theksuar Lluka për Kallxo.com.

Ministri Lluka është shprehur se nëse kalon në mbledhjen e rregullt të Bordit të OPIC-ut atëherë rregullohet çështja e financimit të termocentralit ‘Kosova e Re’.

“Sepse nëse me 500 milionë e financon OPIC-u, 450 milionë është ekuiteti i kompanisë Contour Global që e financojnë edhe një pjesë e mbetur është financimi që e kanë kusht edhe kompanitë që janë në proces të tenderimit me i siguru nga Agjencitë Eksportuese të shteteve nga vjen fituesi, për shembull, nëse fituesi vjen nga Koreja ose Japonia atëherë bankat shtetërore të atyre shteteve e financojnë një pjesë të eksportit. Pra në muajin mars saktë e dimë nëse OPIC e përkrahë apo jo”, ka potencuar Lluka për Kallxo.com.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka ka thënë se të gjitha gjasat janë në favor për shkak të aprovimit të studimit. Lluka ka deklaruar se kusht i OPIC-ut për financim të TC ‘Kosova e Re’ ishte që të përdoret teknologjia e fundit që është ultra super kritike, pra teknologjia më e avancuar dhe më efiçiente në termocentrale.

“Edhe ne jemi pajtuar se kjo teknologji prej fillimit ka pas me u përdorë kështu që nuk kemi pas asnjë lloj problemi”, ka përfunduar ai.

Presidenti i Grupit të Bankës Botërore, Jim Yong Kim kishte deklaruar që Banka Botërore nuk do ta mbështesë ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” në Kosovë.

“Po, ne kemi një qëndrim të fortë që të mos shkojmë përpara me termocentrale me qymyr sepse na është kërkuar nga biologët tanë që të shkojmë me opsionin me koston më të ulët dhe energjia e ripërtëritshme tani vjen poshtë kostos së qymyrit. Pra, pa asnjë dilemë, nuk do ta bëjmë këtë”, ka deklaruar Kim.

Kim shpalosi qëndrimin e Bankës Botërore rreth termocentralit 1.3 miliardë euro kur u pyet prej Visar Azemit, drejtorit ekzekutiv i “Balkan Green Foundation” në takimet vjetore të Grupit të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar që u zhvilluan në muajin tetor në Bali të Indonezisë.

Dajana Berisha nga Konsorciumi i Shoqërisë Civile të Kosovës për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID) ka thënë për Kallxo.com se beteja kundër ndërtimit të termocentralit ‘Kosova e Re’ do të vazhdojë edhe më tutje.

“Si KOSID, ne do të vazhdojmë betejën tonë. Nëse mbërritëm të bindim Bankën Botërore, institucionin më të fuqishëm financiar në botë për financimin e projekteve zhvillimore të mirëfillta jam e sigurt që betejat tona veç do të forcohen akoma më shumë dhe aftësitë tona si Konzorcium i organizatave joqeveritare tashmë janë pothuajse mjaft të forta, ekspertiza jonë është shumë e fortë se e gjithë ministrisë dhe gjithë qeverisë që ekziston në Kosovë”, ka thënë Berisha për Kallxo.com.

Nënshkrimi i marrëveshjes 1.3 miliardë euro mes Qeverisë së Kosovës dhe Joseph Brandt, drejtorit ekzekutiv të kompanisë amerikane ‘Contour Global’ për ndërtimin e TC “Kosova e Re” është bërë me 20 dhjetor 2017.

Në qershor të këtij viti, kompania amerikane ‘Contour Global’ ka hapur tender për ndërtimin e termocentralit të tretë në Kosovë të quajtur ‘Kosova e Re’.

Katër konsorciume tashmë kanë hyrë në garë për ndërtimin e termocentralit ‘Kosova e Re’.

Ofertuesit e para-kualifikuar për Inxhinierim, Projektim, Ndërtim dhe Mirëmbajtje për Projektin e Termocentralit “Kosova e Re” janë: 1. CMEC; 2. Një konsorcium i përbërë nga ENKA, Mitsubishi Hitachi Power Systems dhe Técnicas Reunidas; 3. Një konsorcium i kompanive të General Electric; dhe 4. Hyundai.

Pas shpalljes së procesit të ‘Përzgjedhjes Fillestare’ në qershor, gjashtë aplikime u pranuan dhe u vlerësuan nga Contour Global. Rezultatet dhe vendimin e ‘Contour Global’ e ka njohur Qeveria e Kosovës.

Gjatë fazës së parakualifikimin kanë aplikuar gjashtë kompani, mirëpo pas procesit të vlerësimit është arritur në përfundimin se katër prej këtyre janë parakualifikuar, të cilët i kanë plotësuar kriteret e larta teknike dhe financiare, si dhe i kanë ofruar letrat e financimit nga institucionet financiare.

Është parashikuar që në vitin 2019 do të vihet gurthemeli i termocentralit “Kosova e Re”.