Facebook

Lluka: Kosova së shpejti zero taksë për makinat elektrike

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka paralajmëruar se së shpejti do të lirohen nga taksa makinat elektrike.

Lluka në llogarinë e tij në ‘Facebook’, ka thënë se lirimi i këtyre makinave nga TVSH dhe dogana do t’i jepet një lehtësim qytetarëve.

“Makinat elektrike janë e ardhmja e çdo vendi. Javën e kaluar kemi filluar procedurat për të liruar këto makina nga TVSH dhe dogana në mënyrë që t’i jepet një lehtësim qytetarëve dhe bizneseve për të përdorur makina me zero emitime”, thuhet në njoftimin e tij.

Ai tha se ky rekomandim kishte ardhur nga eksperti fushës së efiçiencës (Lulzim Syla).

“Bashkëpunimi me ekspertë dhe organizata profesionale në politikat zhvillimore të vendit duhet të forcohet edhe më tutje. Institucionet që hapen karshi këshillave të tilla janë më të suksesshme, normalisht për ato politika ku përfitimi është i përgjithshëm”, ka shkruar i pari i MZHE-së.