Ministri Valdrin Lluka - Foto: KALLXO.com

Lluka: Janë 10 miniatorë të ngujuar

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka ka dhënë një numër ndryshe të miniatorëve të ngujuar në Trepçë.

Përderisa Drejtori i Trepçës, Xhevdet Tahiri tha për KALLXO.com se 150 miniatorë janë ngujuar, ministri tha se janë vetëm 10.

“Po rreth 150 minatorë janë ngujuar brenda Trepçës. Po shpresojmë se së shpejti trafo do të rregullohet dhe minatorët do të dalin nga aty. Nuk kemi asnjë minator që është në rrezik apo të lënduar”, tha Tahiri për KALLXO.com.

Lluka në një status në Facebook tha se ‘në bisedën që kisha me persona përgjegjës dhe sindikatën, rreth 10 minatorë janë brenda në minierë, pa rrezik për jetë. Ekipet e shpëtimit janë në vendngjarje dhe po punojnë që t’i shpëtojnë të gjithë minatorët’.

Ai shtoi se miniera ka ajrosje natyrale prandaj, sipas personave përgjegjës në teren, nuk paraqet rrezik serioz mungesa e ajrosjes.

Gjatë ditës së sotme është djegur trafostacioni i KEK-ut që gjendet në hapësirën e Fabrikës së Akumulatorëve në Mitrovicë.

Kjo ka bërë që Mitrovica të mos ketë energji elektrike.