Foto: Atdhe Mulla

Lluka dhe Hoti, i kërkojnë përgjegjësi njëri tjetrit për marrëveshjen e Telekomit dhe Z-Mobile

Deputeti i LDK-së Avdullah Hoti, tha se shkaku i marrëveshjes mes Telekomit dhe Z-Mobile pas vendimit të Gjykatës së Arbitrazhit PTK i detyrohet kompanisë  ‘Z-Mobile’, 32 milion euro.

Ai tha se është arritur edhe një marrëveshje për ta tejkaluar këtë shumë në këmbim të 100 numrave 3G dhe 4G që Telekomi duhet t’i jep Z-mobile.

“A është ministri në dijeni për këtë marrëveshje dhe cili është qëndrimi i tij”, tha Hoti

E Ministri Valdrin Lluka, fillimisht nuk iu është përgjigjur deputetit por kishte drejtuar pyetje nga deputeti.

“Si ish anëtar i komisionit për ndërmarrje publike a është ngritur një herë çështja e kontratës së Z-Mobile dhe Telekomit të Kosovës. Si ish anëtar i komisionit për ndërmarrje publike a e keni shtruar ankesën për mungesën e bordit të drejtorëve të Telekomit të Kosovës që ka munguar mbi një vit, a jeni interesuar për ankesat e Z-Mobile dhe paralajmërimet e tyre për ta dërguar Telekomin në arbitrazh”, tha Lluka duke e pyetur deputetin e çfarë ka ndërmarr deputeti si ish anëtar i komisionit.

Lluka ka shtuar se me marrjen e detyrës e kanë funksionalizuar Bordin e Telekomit.

“Që nga muaji mars, menjëherë bordi është këtu ta bëjnë vlerësim të kontratës për ta shikuar se cila është forma më e mirë a të vazhdohet me kontratën apo të ndërprehet kontrata dhe të paguhet dëmi. Në bazë të vlerësimit Bordi do të merr vendim. Kemi kohë gjatë muaj. Deri në qershor do të dalim me qëndrim sa i përket marrëveshjes”, tha Lluka.

Në replikën e tij, Hoti tha se ministri duhet të jep qëndrim mbi këtë marrëveshje.

“Ai duhet ta jep qëndrimin e tij karshi kësaj marrëveshje. Rolet ndryshojnë shumë shpejtë. Në një situatë normale ai nuk do të duhej të ishte aty. Kjo është çështje që ai duhet me u përgjigj. Nëse hyjmë pyetje personale nuk ia qet mirë atij”, përfundoi Hoti.