Ramiz Lladrovci - Foto: KALLXO.com

Abuzimi i 16 vjeçares nga Drenasi - Lladrovci padit Drenorin për shpifje

Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci sot ka ngritur padi për shpifje ndaj ish-asamblist komunal, Xhavit Drenori.

Drenori në një postim në profilin e tij në Facebook kishte thënë se Lladrovci ka pasur më herët njohuri për rastin e policit dhe të vajzës.

E, për këtë Lladrovci ka njoftuar se ka ngritur padi sot. Ai përmes nje postimi në profilin e tij në Facebook tha se pret nga instuticionet e drejtësisë që ta marrin vendimin sa më shpejtë.

“Sapo kam deponuar padi për shpifje, ndaj ish asamblistit komunal Xhavit Drenori, i cili situatën tejet të rënduar në komunën tonë, e ngarkon edhe më shumë, me shpifje dhe dezinformata. Kjo është padia e radhës ndaj Drenorit, për shpifje. Pres nga institucionet e drejtësisë, të marrin vendim meritor, ngase, nuk është hera e parë që Xhavit Drenori, vihet në fokus të mediave me shpifje e insinuata të turpshme”, ka shkruar Lladrovci.

Kryetari i Komunës së Drenasit po ashtu thotë se pret që rasti të zbardhet sa më shpejtë.

“Kam besim në organet e rendit, të hetuesisë dhe gjyqësorit se do ta zbardhin tërë rastin e abuzimit të së miturës, duke dhënë dënimin për secilin që ka rënë ndesh me ligjin, sikur që pres edhe dënim për ata që shpifin nga motivet e tyre të sëmura”, ka shkruar tutje ai.

Në lidhje me këtë padi të ngritur, KALLXO.com ka kontaktuar ish-asamblistin, Xhavit Drenorin.

Ai tha se kjo padi e ngritur nga ana e Lladrovcit po bëhet për ta tërhequr vëmendjen nga ngjarja.

“Unë këtë padi e shoh vetëm tërheqje të vëmendjes prej rastit, rasti e ka marrë dhenë dhe nuk është i izoluar, janë edhe disa raste të tjera që kanë me dal në shesh, por s’janë të përmasave të tilla. Mirëpo rastet kur ka pas krim të organizuar në komunën tonë do të dalin në shesh. Thjesht këtë padi e shoh vetëm tërheqje të vëmendjes sepse ai e di që kjo padi do të hidhet poshtë, por  në fakt unë do t’i bëjë kundërpadi në të ardhmen për fyerjet që po mi bënë në opinion”, tha Drenori për KALLXO.com

Ai po ashtu shtoi se Lladrovci po vepron në të njejtën formë sikur polici i dyshuar, V.V.

“Është çështje mentaliteti i tillë, kërcënues, frikësues duke shfrytëzuar autoritetin që i jepë se kush jam unë, kështu kishe vepruar edhe polici në fakt, i cili akuzohet për dhunimin e të miturës, të njëjtat forma po i përdor edhe Lladrovci.  Përndryshe do të isha shumë i lumtur që gjykata sa më shpejtë të na thirrte në procedurë sepse kam edhe shumë gjëra të tjera që t’ia them Lladrovcit në gjykatë”, tha Drenori.

Ndryshe, polemika të tilla mes Drenorit dhe Lladrovcit ka pasur qysh në fillim të kandidimit për kreun e komunës.