Takimi Haradinaj- Lladrovci

Lladrovci i kërkon përkrahje Haradinajt për Ferronikelin

Me rastin e shënimit të 1 Majit, Ditës Ndërkombëtare të Punës, kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci ka pritur në takim Kryeministrin  Ramush Haradinaj, me të cilin kanë biseduar për çështjet që janë me rëndësi për këtë komunë, projektet që presin të realizohen si dhe kanë takuar edhe Sindikatën e Pavarur të Ndërmarrjes së Ferronikelit për të biseduar për mundësinë e stabilizimit të fabrikës.

Lladrovci fillimisht i ka prezantuar kryeministrit vendin ku do të ndërtohet stadiumi kombëtar në Drenas, përballë Parkut të Biznesit, pastaj e ka pritur në takim në objektin e Komunës.

Ai ka kërkuar nga kryeministri përkrahje në realizimin e projekteve të ndryshme në të mirë të qytetarëve të kësaj komune.

Po ashtu, Lladrovci i ka kërkuar përkrahje Haradinajt për të mbajtur stabile dhe funksionale ndërmarrjen e Ferronikelit.

Nga ana e tij, Haradinaj ka përgëzuar kryetarin për dinamikën dhe seriozitetin e shtuar të punës për të mirën e qytetarëve të Drenasit.

“Sot biseduam në Drenas për krejt projektet zhvillimore që janë të rëndësishme, edhe për mundësinë buxhetore të financimit të këtyre projekteve, po ashtu biseduam edhe për pronat, që Komuna e Drenasit ka projekte zhvillimore ne ato pjesë, por që janë disa pengesa që duhet të ju kthehen komunës për t’i zhvilluar ato projekte dhe do të ishte në interes të përgjithshëm”, tha Haradinaj.

Ai ka shtuar se “për simbolikën e ditës së sotme, kemi pasë rastin me i taku edhe sindikatën e Ferronikelit, kryetarin e saj Fehmi Nika, dhe jemi informuar për gjendjen në këtë ndërmarrje.

Është konstatuar se Qeveria e Kosovës i ka borxh për rimbursimin e TVSH-së, që ndërlidhet me pagën e punëtorëve për dy muaj, mars dhe prill, ndaj neve na intereson që Ferronikeli të vazhdojë me prodhim, sepse është një investim dhe janë 820 punëtorë dhe besoj që do të t’i gjendet zgjidhja që ndërmarrja të këtë normalizim të situatës, tha Haradinaj.

Në fund të takimit, Haradinaj i ka dhuruar Lladrovicit Dekoratën e Vitit të Gjergj Kastriotit Skënderbeut dhe ka vlerësuar se kjo dhuratë i jepet sepse është bashkëluftëtarë dhe familjar i Heroit Fehmi Lladrovci./21Media