Kandidati i PDK-së për kryetar të Drenasit, Ramiz Lladrovci - Foto: Facebook

Lladrovci deklaron dy orë në vlerë 12 mijë euro, nuk i kishte deklaruar më herët

Kryetari i Komunës së Drenasit Ramiz Lladrovci gjatë deklarimit të pasurisë për këtë vit ka deklaruar dy orë dore, që thotë se i ka që disa vite, por që nuk i kishte deklaruar vitin e kaluar.

Ai ka njoftuar se posedon dy orë dore të cilët i ka vlerësuar 12 mijë euro së bashku.

Orën e dorës të tipit “Rolex”, Lladrovci e ka vlerësuar 9 mijë euro, ndërsa orën tjetër të tipit “Cartier” ai e ka vlerësuar me vlerë 3 mijë euro.

Përveç orëve që s’i ka deklaruar vitin e kaluar, Lladrovci s’kishte deklaruar as stoli të arit që i takojnë bashkëshortes së tij dhe fëmijëve, për të cilat gjithashtu thotë se i ka që disa vite.

Ai ka deklaruar 7 mijë euro stoli të bashkëshortes së tij dhe 4 mijë euro tjera stoli në pronësi të fëmijëve të tij.

Pasuria e paluajtshme e Lladrovcit të llogaritura edhe me ato të përbashkëta, me shtëpi, banesa, tokë e lokale arrijnë vlerën e 900 mijë e 190 euro.

Ai ka deklaruar edhe 3 vetura në emër të tij, të përbashkët dhe të fëmijëve që kapin vlerën e 65 mijë eurove.

Para të gatshme së bashku me gruan e fëmijët, Lladrovci ka deklaruar vetëm 3 mijë e 200 euro.

Këtu mund ta gjeni deklarimi i pasurisë së Ramiz Lladrovcit për vitin e kaluar.