Lista Serbe Vazhdon ta Kushtëzojë Kthimin në Institucione

Lista Serbe nuk do të kthehet në Qeveri deri sa të respektohet marrëveshja e nënshkruar ndërmjet kësaj liste me partnerët LDK e PDK.

Kështu kanë deklaruar zyrtarë të kësaj Liste sot në Mitrovicën veriore.

Në një takim që është zhvilluar ndërmjet drejtuesve të Listës Serbe me drejtorin e Zyrës për Kosovën në qeverinë serb, Marko Gjuriq, kanë marrë pjesë edhe zëvendës kryeministri Branimir Stojanoviq dhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Lubomir Mariq.

“Respektimi i marrëveshjes mbetet i vetmi kusht për kthimin në institucionet e Prishtinës, ky është qëndrimi i të gjithë përfaqësuesve të zgjedhur të komunitetit serb në Kuvend e Qeveri”, u tha në këtë takim, thuhet në komunikatën e Listës Serbe

Sipas zyrtarëve të Listës Serbe, së shpejti do të takohen me zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, për të diskutuar kthimin e tyre.

Një nga pikat kryesore të marrëveshje për koalicion ndërmjet LDK-së, PDK-së dhe Listës Serbe është krijimi i Asociacionit të Komunave Serbe.

Marko Gjuriq ka thënë dje se Serbia i ka përmbushur të gjitha obligimet e Marrëveshjes së Brukselit përderisa, sipas tij, Prishtina ka mbetur t’i përmbushë disa pika të kësaj marrëveshjeje.

Në anën tjetër Arban Abrashi, ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale, njëherit zëdhënës i Qeverisë, ka thënë për KALLXO.com se qeveria mirëpret vendimin e Lista Serbe për kthim në Qeveri dhe beson se kështu më së miri trajtohen problemet dhe kërkesat e komunitetit serb.

“Marrëveshja ne mes te partnerëve të koalicionit dhe Lista Serbe qëndron, dhe kjo marrëveshje patjetër se do të zbatohet nga Qeveria. Disa prej pikave të marrëveshjes kërkojnë kohë që të zbatohen, por gjithsesi ajo çka është nënshkruar edhe do të zbatohet”, ka thënë zëdhënësi Abrashi.

Lista Serbe ishte larguar nga Qeveri në fillim të muajit Shkurt, pasi që Ministri i për Kthime dhe Komunitete, Aleksandar Jabllanoviq, ishte shkarkuar nga posti i tij në qeveri.

Shkarkimi erdhi pas protestave të ashpra në qendër të prishtinës të cilat rezultuan me policë e protestues të lënduar.

Por Jabllanoviq me 3 shkurt kishte deklaruar se protestat e Vetëvendosjes nuk janë bërë kundër tij por kundër pjesëmarrjes së serbëve në qeverinë e Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, nuk e bëri të qartë më 2 shkurt, në një deklaratë për media, nëse Jabllanoviq është shkarkuar apo ka dhënë dorëheqje.