Deputetët e Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës | Foto: Atdhe Mulla

Lista Serbe: Rikalo S’ka Lidhje me Ngjarjet e Luftës

Lista Serbe reagoi sot duke i dalë në mbrojtje ministrit të Bujqësisë në Qeverinë Haradinaj Nenad Rikalos, të cilin disa banorë të Prishtinës e akuzuan për keqtrajtim të tyre gjatë luftës.

“Në Prishtinë të gjithë e dinë mirë se ministri Rikalo nuk ka kurrfarë lidhjeje me ngjarjet e luftës dhe një pjesë të mirë të jetës së tij ia kushtoi ndërtimit të paqes mes popujve”, thuhet në reagimin e Listës Serbe.

Të mërkurën, në Lajmet e Mbrëmjes së KTV-së, banorë të një kompleksi banesor në “Dardani” të Prishtinës ku më parë jetoi Rikalo dhe familja e tij, e akuzuan atë për keqtrajtim të shqiptarëve dhe bashkim me forcat e atëhershme të armatosura serbe.

Por Lista Serbe në reagimin e saj këto akuza i konsideroi të pabaza.

“Sulmet dhe akuzat e pabaza ndaj ministrit Nenad Rikalo që plasohen nga partitë opozitare në Kosovë janë për fat të keq diçka që meritojnë dënimin më të ashpër të të gjithë përfaqësuesve politikë dhe organizatave ndërkombëtare”, thuhet më tutje në reagim.

Lista Serbe konstatoi në vijim se me sulme të tilla “rrënohet besimi mes etnive dhe sabiliteti i Kosovës për përfitim të poenëve të lirë politikë”.

Ky subjekt politik pastaj iu falënderua institucioneve që sipas Listës Serbe u vunë në mbrojtje të së vërtetës dhe së drejtës “dhe haptas konstatuan se sulmet ndaj ministrit Rikalo janë shpifje”.

Partia e serbëve të Kosovës, pjesë e qeverisë dhe e përkrahur nga Beogradi, në fund bëri me dije se “nuk do të lejojë që emri i cilitdo serb të përbaltet nga individë që kanë qëllim të keq”.

Dje, vetë ministri Nenad Rikalo, në një deklaratë të publikuar në faqen e internetit të ministrinë që drejton, deklaroi se asnjëherë nuk i ka bërë keq ndonjë shqiptari.

Rikalo në deklaratën e tij tha se ka bashkëpunuar me Albin Kurtin, Shpend Ahmetin e Ilir Dedën, ndërsa e përmendi edhe se ishte pjesë e KAN—it- Rrjetit të Aksionit për Kosovën të themeluar pas luftës, e para Vetëvendosjes.

http://kallxo.com/rikalo-nuk-kam-bere-keq-asnje-shqiptari/

Sot Xhelal Sveçla, aktivist i Vetëvendosjes dhe kandidat për deputet i këtij subjekti që shkroi në Facebook se ishte Kryetar i Kuvendt të KAN-it, mohoi se Rikalo ishte pjesë e këtij organizimi.