Lista Serbe Kthehet në Institucionet e Kosovës

Përfaqësuesit e Listës Serbe kanë vendosur të enjten që të kthehen në institucionet e Kosovës pas dy muaj bojkoti të punës në këto institucione.

Në një takim të mbajtur në Graçanicë, është vendosur që ata të kthehen në qeveri dhe Kuvend “pas garancave të marra nga partnerët e koalicionit për respektimin e pikave të marrëveshjes për koalicion”, raporton agjencia e lajmeve Tanjug.

Kjo agjenci raporton se një nga arsyet e vendimit për kthim në institucione ka qenë marrëveshja që më të mos ketë “hapa të njëanshëm” të partnerëve të koalicionit, sidomos kur bëhet fjalë për procesin e privatizimit të ndërmarrjeve në komunat me shumicë serbe.

Në një komunikatë të Listës Serbe thuhet se theks i veçantë i është dhënë përmirësimit të gjendjes ekonomike në vendbanimet me serbë.

Bojkoti i përfaqësuesve të Listës Serbe kishte filluar në shkurt të këtij viti kur kryeministri Isa Mustafa shkarkoi nga detyra ish ministrin për Kthime dhe Komunitete, Aleksandar Jabllanoviq.