Avokati i popullit në komision | Foto: KALLXO.com

Lista Serbe kritikon raportin e Avokatit të Popullit

Miljana Nikoliq nga Lista Serbe kritikoi Raportin e Avokatit të Popullit për Vitin 2017, duke thënë se ai merret shumë pak me shkeljet e të drejtave të njeriut të komunitetit serb.

“Jemi të vetëdijshëm që në këtë raport shkelja e të drejtave të serbëve është anashkaluar”, tha Nikoliq.

Ajo përmendi më tutje edhe disa elemente që i quajti shkelje të të drejtave të serbëve.

“Serbët nuk kanë të drejtë, ata janë të detyruar të shkruhen kosovarë. Me këtë ju ka shkelur e drejta. Po ashtu në gjykata nuk marrin procesverbal në gjuhën serbe”, tha Nikoliq.

Ajo më tutje konstatoi se të drejtat në Kosovë serbët i kanë vetëm në letër.

“Serbëve u janë premtuar të drejta me shpalljen e Pavarësisë zë Kosovës por këto janë vetëm të drejta ne letër”, tha Nikoliq, duke përmendur frikën e të kthyerve dhe pengesat që sipas saj kanë për ta ushtruar të drejtën e besimit fetar.

Deputetja tha se serbët në veri rrymën nuk e marrin nga KEDS-i.

“Komunat në veri nuk e marrin rrymën nga KEDS nga Kosova. Ata nuk janë të detyruar të paguajnë për KEDS dhe pritet bisedime për energjetiken në Bruksel”, tha Nikoliq.

Ajo deklaroi se më tepër në raport përmenden romët, egjiptianët e ashkalinjtë se serbët.

Por kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut Duda Balje tha se askush në Kosovë nuk ndodhet në pozitë më të keqe sesa tri komunitetet që përmendi deputetja Nikoliq.

“Asnjë serb në Kosovë nuk është në gjendje më të keqe sesa romët e ashkalinjtë. Unë i kam pa me sy të mi”, tha Balje.

Ai duke përmendur ZRRE-në tha se ky institucion ka thënë që serbët e veriut shfrytëzojnë rrymën e Kosovës.

Zëvendëskryetarja e parë e komisionit Lirie Kajtazi, fjalën e zëvendëskryetares së dytë Nikoliq e konsideroi pamflet nga Beogradi.

“Me u përmend projektet e Millosheviqit si kisha e manastiri, seriozisht duhet me u kthjellë, e jo me ardhë me një letër prej Beogradi”, tha Kajtazi.

Avokati i popullit Hilmi Jashari i kërkoi Miljana Nikoliqit të jetë falënderuese për raportin e këtij institucioni.

Jashari tha se ka marrë letra falënderimi nga serbët e Graçanicës pasi u pezullua pagesa e energjisë elektrike të faturuar në veri nga qytetarët tjerë të Kosovës.