Gjykimi i policit për vrasje me revolen zyrtare | Foto: KALLXO.com

Lirohet Polici i Akuzuar për Vrasje me Revole Zyrtare

Kryetari i trupit gjykues, Beqir Kalludra, shpalli të pafajshëm policin Zyfer Krasniqi, i cili akuzohej për vrasjen e Bahri Sogojevës me revolen zyrtare.

Gjyqtari Kalludra arsyetoi aktgjykimin lirues me faktin se Krasniqi ka qenë në detyrë zyrtare dhe ka vepruar në bazë të kompetencave të tij.

Avokati i Sogojevës, Bajram Tmava, tha për KALLXO.com se klienti i tij kishte ndërmarrë ato veprime në bazë të mbrojtjes së nevojshme.

“Ka vepruar në kuadër të mbrojtjes së nevojshme dhe në kuadër të autorizimeve të përdorimit të armës zyrtare”, tha avokati Tmava për KALLXO.com.

Në bazë të aktakuzës, ngjarja kishte ndodhur më 20 korrik 2010 rreth orës 17:00 në lokacionin e quajtur “Te Antenat” në Parkun e Gërmisë në Prishtinë.

Prokuroria pretendonte se Zyfer Krasniqi me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerin Bahri Sogojeva, pasi më parë Sogojeva ia kishte grabitur një telefon mobil, duke e kërcënuar me revole dhe duke e goditur disa herë me grusht në fytyrë.

Sipas aktakuzës, pasi Sogojeva kishte filluar të ikë me telefonin e grabitur, i akuzuari Krasniqi e kishte marrë revolen e tij zyrtare nga vetura dhe kishte qëlluar shtatë herë në drejtim të Sogojevës, duke e qëlluar me të gjithë këta plumba në disa pjesë të trupit.

Sogojeva nga plagët e marra kishte vdekur, ndërsa prokuroria e akuzonte Krasniqin se ka mundur të shfrytëzojë metoda tjera për ta ndaluar dhe arrestuar atë.

Më herët KALLXO.com shkroi për shkatërrimin e vendit ku ndodhi vrasja nga zgjerimi i një rruge.