Lirohet nga burgu zyrtari i gjykatës i arrestuar për 20 euro ryshfet

Gjykata Themelore në Prishtinë, gjegjësisht Departamenti për Krime të Rënda ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit B.RR. për shkak të veprave penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe Marrja e ryshfetit.

Në njoftimin e gjykatës thuhet se tashmë Gjykata ka marr aktvendim dhe të pandehurit B.RR. i është caktuar masa e arrestit shtëpiak prej datës 21 shkurt deri me 21 mars të këtij viti.

“Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri B.RR. duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, në cilësinë e personit zyrtar pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë, me qëllim të përfitimit pasuror për vete ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare duke i tejkaluar autorizimet e tij.”, thuhet në komunikatë.

Gjykata tutje ka vendosur se caktimi i masës së arrestit shtëpiak është i arsyeshëm për zhvillimin e procedurës penale pa pengesë në sigurimin e prezencës së të pandehurit në procedurë, ndikimit në të dëmtuar apo dëshmitar, si dhe në parandalimin e përsëritjes së veprës penale.

“Pala ka të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.”, thuhet më tej në komunikatë.

Prokuroria Themelore e Prishtinës sot ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj zyrtarit të Gjykatës Themelore të Prishtinës i cili po dyshohet për marrje të ryshfetit dhe keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Zyrtari në fjalë dyshohet se i kishte kërkuar një qytetari 20 euro për t’i ndihmuar në një rast që viktima e kishte në Gjykatën Themelore në Prishtinë, lidhur me një lëndë.

https://kallxo.com/prokuroria-kerkon-paraburgim-per-zyrtarin-e-gjykates-te-dyshuar-per-20-euro-ryshfet/