Sportelisti i Postës në Malishevë, Sahit Hoti. Foto: Kallxo.com

Lirohet nga akuza sportelisti i Postës në Malishevë

Gjykata Themelore në Gjakovë e ka liruar nga akuza për keqpërdorim të detyrës zyrtare, sportelistin e Postës në Malishevë.

Sahit Hoti nga Malisheva akuzohej se ka keqpërdorur detyrën duke i shkelur të drejtat një të dëmtuari.

Të hënën, kryetari i trupit gjykues Gëzim Pozhegu  e liroi Sahit Hotin nga akuza me arsyetimin se në veprimet e tij nuk ka elemente veprës penale.

Melirimin nga akuza, gjykata e udhëzoi të dëmtuarin Sopaj në kontest civil.

Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë thuhet se i pandehuri në cilësinë e personit zyrtar, sportelist në zyrën e Postës së Malishevës, nuk e ka përmbushur detyrën e tij zyrtare, duke ia shkelur të drejtat Naim Sopajt.

Sipas aktakuzës, i dëmtuari Naim Sopaj, si drejtor i “NN Sopi”, me seli në Prizren, në lëndën e përmbarimit ku ka qenë si debitor në shtator të vitit 2017 ka parashtruar një kundërshtim ose prapësim kundër urdhrit përmbarimor te përmbaruesi privat Saranda Kuqi.

I akuzuari Hoti kishte pranuar zarfin e të dëmtuarit Sopaj mirëpo nuk e kishte dorëzuar te kartuesi Ismajl Telaku me kohë.

Ai e kishte dorëzuar atë pas 4 ditësh me të cilin veprim i kishte kaluar afati ligjor i kundërshtimit dhe në këtë rast Gjykata e Prizrenit e ka hedhur poshtë kundërshtimin e debitorit si të pasafatshme, thuhet në aktakuzë.

https://kallxo.com/i-demtuari-nuk-kerkon-kompensim-nga-sportelisti-i-postes-se-malisheves/