Ish-deputeti Mark Frroku duke dalë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në Tiranë më 9 Mars 2015. Foto: LSA/Malton Dibra

Lirohet me kusht ish-deputeti, gjykata i fali 1 vit e 5 muaj burg

Ish-deputeti Mark Frroku u lirua të mërkurën nga burgu pas një vendimi të Gjykatës së Fierit, e cila vendosi se ai plotësonte kushtet e lirimit me kusht për shkak të “arsyeve të veçanta”, të cilat avokati i tij nuk i bëri publike. Prokuroria kërkoi rrëzimin e lirimit të parakohshëm.

I dënuar me 6 vjet burg për tre akuza, Mark Frroku, ish-deputeti i Kuvendit të Shqipërisë fitoi të mërkurën liri të parakohshme, pasi Gjykata e Fierit vendosi se ai plotësonte kriteret e lirimit me kusht.

Vendimi i lirimit erdhi pas dy kërkesave të dorëzuara në Prill në Gjykatën e Fierit nga Frroku-qytet ku ai vuante dënimin. Njëra prej kërkesave u pushua, pasi as Frroku dhe as avokati i tij nuk u paraqitën, ndërkohë që paralelisht kërkesa e dytë u miratua.

Avokati i Frrokut, Tonin Prendi i tha BIRN se paraqitja e dy kërkesave ishte bërë për shkak se ai nuk ishte marrë vesh me klientin dhe secili prej tyre kishte paraqitur nga një kërkesë për lirim me kusht. Ai tha se Frroku kishte plotësuar kohën e qëndrimit në burg, pas të cilës mund të kërkonte lirim me kusht dhe se po ashtu kishte arsye familjare të veçanta, që sipas avokatit “familja nuk dëshiron të bëhen publike”.

Nga ana tjetër, Prokuroria e Fierit i tha BIRN se ata kishin kërkuar rrëzimin e kërkesës pasi “Frroku nuk plotësonte kushtet”.

Gjykatësja Matilda Shalla vendosi pas tre seancash se ish-deputeti i dënuar nga Gjykata e Apelit Tiranë për akuzat e “pastrimit të parave”, “deklarimit të rremë të pasurisë” dhe “ndërtimit të paligjshëm”  kishte plotësuar ¾ e dënimit dhe se po ashtu “kishte arsye të veçanta” për të përfituar lirimin me kusht.

Sipas këtij vendimi, Frrokut i mbeteshin edhe 1 vit e 5 muaj dhe 5 ditë për të shlyer nga dënimi prej  6 vitesh i Gjykatës së Apelit.

Frroku u arrestua në mars të vitit 2015 fillimisht me akuzën për “kallëzim të rremë”, pasi bashkë me deputetin tjetër, Tom Doshi u akuzuan se sajuan një skenar që akuzonte tani Presidentin e Republikës Ilir Meta se kishte synuar të vriste Doshin. Kjo çështje ende nuk është gjykuar.

Pak ditë më vonë, për Frrokun u lëshua një urdhër arresti i dytë bazuar në një urdhër kërkimi nga autoritetet Belge, të cilat e akuzonin atë për vrasjen e një emigranti shqiptar në vitit 1999. Frroku u shpall i pafajshëm për akuzat e vrasjes, por u dënua për akuzat e tjera që prokuroria ngriti ndaj tij pasi e mori në hetim. Në korrik 2016, Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi sekuestrimin e pasurive të tij, të cilat dyshohet se janë krijuar për shkak të aktiviteteve të jashtëligjshme.

Frroku u zgjodh deputet si i pari i listës së një partie të vogël politike në zonën e Shkodrës në koalicion me Partinë Sociliste dhe LSI në zgjedhjet e vitit 2013, dhe ishte që në fillim një nga emrat e përfolur në përpjekjen për dekriminalizimin e Kuvendit.

Vëllai i tij Arben Frroku, i cili po ashtu ishte në listën e kandidatëve për deputet në vitin 2013, është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e komisarit të policisë Dritan Lamaj dhe ndodhet i arrestuar në Holandë, në pritje të ekstradimit.